Dinamo drejt Superiores, trajneri Allmuça: Na takon, por nuk ia duam të keqen askujt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2019 | 21:21

Dinamo drejt Superiores, trajneri Allmuça: Na takon, por nuk ia duam të keqen askujt

Dinamo është një nga dy skuadrat e Kategorisë së Parë që mund të “peshkohet” direkt në Superiore, për shkak të situatës problematike të shumë klubeve të Superiores në këtë moment.

igli allmuca

Në prononcimet e mëparshme për gazetën, administratori i ekipit blu, Ismet Saliaj, është shprehur se Dinamo do të ishte gati që këtë sezon për Superioren, një skenar që tani duket më afër se kurrë. Më i përmbajtur në qëndrimin e tij është trajneri Igli Allmuça, i cili është shprehur për “Panorama Sport” se ai dhe Dinamo nuk i duan të keqen asnjë ekipi tjetër shqiptar.

Gjithsesi, trajneri i kryeqytetasve thotë se skuadra e tij është e gatshme për të konkurruar edhe në Superiore, nëse i jepet kjo e drejtë. “Edhe sezonin e fundit kemi bërë një kampionat shumë të mirë. Pretendimet tona ishin për ngjitjen në Superiore, por kishim në grup një rival si Vllaznia, që kishte një grup të kolauduar futbollistësh, sepse vinte nga elita. Për ne ishte e vështirë dhe në fund të kampionatit dolëm në vend të dytë. Ajo që dua të them në këtë moment është se nuk duam të mbahemi te fatkeqësia e të tjerëve. Nëse na jepet mundësia të luajmë në Superiore, skuadra është plotësisht e gatshme për të marrë pjesë në elitë. Kemi baza të shëndosha, falë mbështetjes financiare të dashamirësve të Dinamos, të cilët na kanë ndihmuar në vazhdimësi. Pra, e kemi bazën. Siç e theksova, ne nuk fërkojmë duart për fatkeqësinë tjetrit. Dinamos do t’i takonte Superiorja si vendi i dytë dhe për këtë jemi plotësisht gati. Merkatoja dhe fusha në rast zyrtarizimi në Superiore? Ato janë çështje që i zgjidhin drejtuesit e ekipit, nuk më takojnë mua t’i trajtoj”, ka theksuar trajneri Igli Allmuça.

Ndoshta ai ndien më shumë keqardhje për Skënderbeun, sepse në karrierën e tij si futbollist ka veshur edhe fanellën e ekipit korçar. Megjithatë, si profesionist, tashmë mendon vetëm për të mirën e Dinamos, të cilën do të kishte shansin ta drejtonte në elitën e futbollit shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"