Dinamo nuk do të ndalet në merkato, tentohet goditja e dyfishtë në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2020 | 10:22

Dinamo nuk do të ndalet në merkato, tentohet goditja e dyfishtë në mbrojtje

Dinamo nuk ka në plan të ndalet në këtë merkato. Pasi kanë siguruar zyrtarisht shërbimet e 5 lojtarëve, po tentojnë edhe dy të tjerë për mbrojtjen. Bëhet fjalë për Arjan Shetën dhe Ilir Allmuçën, të cilët aktualisht janë pjesë e Besëlidhjes dhe Egnatias. Që të dy kanë një të shkuar te blutë, çka do ta bënte shumë herë më të thjeshtë edhe përshtatjen..


sheta beselidhja

Gazeta “Panorama Sport” mëson se nuk bëhet fjalë për një dëshirë, pasi përfaqësues të klubit kanë biseduar me këta futbollistë dhe u kanë ofruar bashkëpunim. E megjithatë, afrimi i tyre është praktikisht i pamundur, që të dy janë nën kontratë me klubet respektive dhe nuk mund të marrin letrat me një të rënë të lapsit.

Fabricio Kamarata pret të paktën edhe 3-4 lojtarë cilësorë, ndaj përgjegjësit e merkatos po vijojnë kërkimet. “Sytë” janë hedhur në tregun vendës, ndonëse priten që shumë shpejt të vijnë edhe dy të huaj. Sakaq, nën urdhrat e stafit teknik ka ardhur edhe një tjetër afrikan për provë. Emri i tij mbetet një mister, e megjithatë mësohet se gati dy vite më parë ka qenë pjesë e Egnatias. Kujtojmë se deri më tani pjesë e kryeqytetasve janë bërë: portieri Klajdi Kuka, qendërmbrojtësi Kristiano Dovidio, mesfushorët Erald Kolgega e Franc Zylyftari dhe sulmuesi Lamine N’Diaje.DINAMO

LARGIME – Nga Dinamo ka edhe rrjedhje. Gazeta mëson ekskluzivisht se janë larguar dy lojtarë shumë të rëndësishëm të formacionit, Enton Allmeta dhe Lauren Ismailaj. Prej 3 ditësh ata nuk janë parë më në seancat stërvitore të bluve. Në fillim u mendua se kishte të bënte me probleme personale, por më pas u zbulua se kanë shpallur zyrtarisht “divorcin”.

Shkak janë bërë financat, pasi lojtarët nuk kanë rënë dakord me drejtuesit për termat ekonomikë. Allmeta ishte një prej lojtarëve më me eksperiencë të kryeqytetasve, i cili më parë ka qenë pjesë e Cërrikut, Butrintit, Tërbunit, Korabit e Vorës. Ismailaj nuk mbetej pas, mesfushori kishte të dhëna mjaft të mira teknike dhe konsiderohej i vlefshëm nga drejtuesit. Kujtojmë se ai ka dalë nga akademia e Partizanit, madje ka qenë pjesë dhe e ekipit të parë për pak takime.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"