“Dinamo do të jetë serioze deri në fund”, Vanoli: Sot dua fitoren e parë, Sofranak nuk e respekton klubin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2022 | 11:50

“Dinamo do të jetë serioze deri në fund”, Vanoli: Sot dua fitoren e parë, Sofranak nuk e respekton klubin!

Nga Vllaznia, te Vllaznia. Pikërisht ndaj këtij kundërshtari Rodolfo Vanoli pati kontaktin e parë me Dinamon, teksa e ndoqi nga tribuna e “Loro Boriçit” në humbjen 2-1 më 3 mars. Në atë kohë blutë drejtoheshin nga Bledar Devolli, ndërsa pak javë më pas drejtimin e skuadrës e mori Vanoli, i cili nuk mundi ta nxirrte nga situata dhe “nëndetësja” po fundoset sërish në Kategorinë e Parë. Sot kryeqytetasit e presin Vllazninë në Elbasan në orën 16:45 dhe Vanoli shpreson shumë që të thyhet tersi, duke arritur fitoren e parë në krye të Dinamos. Në intervistën për “Panorama Sport”, ai ka theksuar se skuadra do të bëjë më të mirën, përderisa matematika nuk e ka dënuar ende dhe humbja e djeshme e Egnatias ka rikthyer njëfarë shprese.

VANOLI

Mister, a ka ardhur momenti që Dinamo të mendojë për sezonin e ri dhe të ndryshojë strategji në këto javë të fundit?

Ka edhe një spirale të vogël shprese, matematika nuk na ka dënuar ende, kështu që ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën në fushë ndaj Vllaznisë dhe kundërshtarëve të tjerë. Strategjia jonë mbetet e njëjtë, edhe pse duhet ta themi se një lloj ndryshimi ka filluar. Unë kam aktivizuar disa të rinj që kur kam ardhur te Dinamoja. I vlerësoj të gjithë lojtarët, nuk çoj asnjërin prej tyre me pushime, pasi i dua që ta ndihmojnë skuadrën për të marrë rezultate pozitive.

Përveç Sofranakut, ndoshta…

Sofranak, siç e kemi thënë disa herë, ka qenë konfuz. Nuk ka qenë i gatshëm për të luajtur. Ai është një futbollist me shumë eksperiencë dhe unë prisja që ai të jepte shembullin më të mirë, duke ndihmuar edhe më të rinjtë me atë që do të jepte në fushë, por në fakt ka ndodhur e kundërta. Sofranak nuk ka respektuar shokët e ekipit, klubin e Dinamos, stafin teknik dhe presidentin. Nuk është treguar aspak profesionist, ndërkohë që është paguar si i tillë.

Është Vllaznia një shans i mirë që të merrni fitoren e parë në krye të Dinamos?

Mund të jetë kështu, por ne kemi kërkuar në çdo ndeshje fitoren dhe kemi qenë në lojë gjithmonë. Kanë qenë episodet që na kanë dënuar vazhdimisht, siç na ndodhi edhe në derbin me Partizanin. Ishim në lojë deri në fund për të marrë rezultat pozitiv, por përsëri nuk ia dolëm në fund, duke u ndëshkuar nga gabimet tona individuale. Është një nga ato sezonet kur nuk të ecën dhe shpresoj që të gjitha këto episode që na kanë dënuar, në një moment të na kthehen në favorin tonë.

Vetëm episodet kanë ndikuar në këtë ecuri kaq negative?

Janë edhe limitet e skuadrës, e kam thënë edhe më parë. Kjo skuadër ka kapacitet të limituar, janë të paktë futbollistët fitues, ata që kanë fituar gjatë karrierës së tyre. Janë edhe shumë të rinj, për të cilët është e kuptueshme që gabojnë, por do të rriten gradualisht.

Keni folur me presidentin Bardhi sa i takon vazhdimësisë në pankinë?

Unë kam ardhur te Dinamoja për një plan 3-vjeçar. Më vjen shumë keq për presidentin, sepse nuk e meritonte këtë gjendje, ashtu si dhe për tifozët. Do të punojmë fort të gjithë bashkë për të mirën e Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"