“Dinamo dhe Skënderbeu? Garë e bukur, por jo e vështirë”, Idrizi trazon Flamurtarin: Askush nuk e ka vendin të sigurt!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 13:07

“Dinamo dhe Skënderbeu? Garë e bukur, por jo e vështirë”, Idrizi trazon Flamurtarin: Askush nuk e ka vendin të sigurt!

Në Vlorë asnjë nuk është i sigurt. Ndryshon në 360 gradë situata te Flamurtari. Është vetë administratori që fut në tension gjithkënd, duke filluar nga pankina e për të kaluar te lojtarët. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, Sinan Idrizi i kujton gjithkujt se nuk mjaftohet vetëm me ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe misioni është elita. Për ta bindur kreun e klubit kuqezi, lojtarët aktualë kanë një sfidë për të kaluar. Edhe pse i mistershëm në atë që thotë, qartazi ka vendosur që ta “trazojë” ekipin e të fusë ethet e konkurrencës. Nëse Dritan Resuli deklaroi pak ditë më parë se është konfirmuar në detyrë dhe për këtë shkak ka nisur stërvitjen, kreu i klubit ka vendosur ta fusë në “ankth”. Nuk kishte si të mos komentonte edhe Kategorinë e Parë dhe hapur “snobon” ekipe si Dinamo dhe Skënderbeu. Paralajmëron kampionat të bukur, por aspak të vështirë për ta.

SINAN IDRIZI

Kampionati ka mbaruar tashmë, por cila do të jetë e ardhmja e Flamurtarit dhe grupit aktual?

Sfida është e hapur për të gjithë lojtarët që ishin pjesë e organikës sonë. Por nuk do të thotë që do të vazhdojmë me këtë kualitet.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Nuk është e mjaftueshme kjo që kemi arritur. Asnjë nuk e ka vendin të sigurt. Unë nuk e vë në dyshim punën e mirë që kanë bërë këta djem.

Nënkuptoni se do të ketë edhe largime?

Normal që ky grup do të qëndrojë, nuk e kam këtu. Natyrisht që do të ketë edhe ndërhyrje në merkato. Tashmë duhet një nivel tjetër në skuadër për t’iu përgjigjur kërkesave të kësaj kategorie dhe për realizimin e objektivave që kemi.

E keni konfirmuar trajnerin Resuli?

Trajneri e ka vetë në dorë do qëndrojë apo jo…

Që do të thotë…?

Do të thotë që ne po kalojmë në një tjetër stad. Natyrisht që stafi dhe lojtarët janë profesionistë në pjesën më të madhe. Më të shumtët janë OK, por tani kemi histori të tjera.

Kur do ta nisni merkaton?

Javën tjetër do të firmosim. Kemi në plane dy lojtarë për t’i mbyllur kontratat. Nuk do të merren lojtarë që nuk kanë vetëm emër, por që kanë edhe cilësi karakteriale.

Thuajse gjysma e Kategorisë së Parë do të jetë me ekipe të Superiores sezonin e ardhshëm. Sa vështirësohet gara me emra si Dinamo dhe Skënderbeu?

E vështirë jo, e bukur po.

Kur do ta shohim Flamurtarin në Superiore?

Unë e kam thënë që kemi një kod dhe ai është 2023. Qëllimi është i qartë për të gjithë ne.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"