Dinamo bie zyrtarisht ditën e dëshmorëve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2012 | 11:16

Dinamo bie zyrtarisht ditën e dëshmorëve…

DINAMO – VLLAZNIA  0-3
GOLAT: Sykaj 8′, Petroviç 13′, Gocaj 26′
DINAMO: Gjonikaj, Dita, Marku, Luzhi, Kapaj, Djarmati, Deliallsi, Kaja, Bilibashi (Kule 43′), Daja (Ferra 46′), Kuli (Imami 46′). Trajner: Artan Mërgjyshi.
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Smajli, Popoviç, Kraja, Belisha, Gjini, Bërnoviç, Hajdari (Guri 85′), Sykaj (Balaj 75′), Gocaj (Shaba 86′), Petroviç. Trajner: Armir Grima.
KARTONA TË VERDHË: Kuli 27′ / Bërnoviç 59′
DELEGAT: I.Shulku (Tiranë)
VËZHGUES: N.Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: B.Pashaj (Tiranë), P.Puto (Gjirokastër), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
8′ Sykaj gjuan fort me kokë pas një krosimi në zonë dhe arrin të mposhtë portierin Gjonikaj dhe 0-1.
13′ Petroviç dyfishon rezultatin pasi godet bukur me kokë, pas një goditjeje këndi, 0-2.
20′ Gjini rrëzohet në zonë në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari kryesor akordin 11-metërsh. Smajli nga pika e bardhë gabon, sepse portieri Gjonikaj arrin të presë.
26′ Gjini jep një pasim të saktë për Gocajn që, edhe pse në pozicion të prirët me portën nga një distancë e largët, gjuan me mjeshtëri dhe e ndal topin në rrjetë dhe 0-3.
36′ Daja është i vetëm përballë portierit mik, por gjuajtja e tij kalon ngjitur me shtyllën pingule.
52′ Imami jep një asist për Ferrën, i cili gjuan me roveshatë brenda zone, por portieri mik është i vëmendshëm dhe arrin të grushtojë.
83′ Imami në një kundërsulm gjendet i vetëm përballë portierit dhe gjuan fort, por është sërish Vujadinoviç që nuk lejon mesfushorin dinamovit të shënojë.

Dinamo bie për herë të parë në historinë e saj nga Kategoria Superiore në një ditë që, për koincidencë, është edhe ajo e dëshmorëve në vendin tonë. Lojtarët blu nuk arritën të ishin “dëshmorë” në një ditë të tillë dhe të mbanin gjallë shpresat për mbijetesë, të paktën edhe për një javë. Në ndeshjen e djeshme përballë Vllaznisë, të besuarit e trajnerit Artan Mërgjyshi kanë pësuar një humbje zhgënjyese në shifrat 3-0. Shkodranët kanë zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë dhe, më pas, kanë administruar rezultatin. Ndërsa kryeqytetasit, me një formacion që kishte në përbërje të tij lojtarë të rinj, nuk kanë bërë asgjë mirë, duke mosshfrytëzuar edhe ato pak raste të pastra që u janë dhënë për shënim.
Pjesa e parë Blutë e nisin mirë takimin dhe janë në sulm me anë të kapitenit Kuli, i cili në minutën e katërt jep një asist për Djarmatin. Ky i fundit, edhe pse vrapon shumë, nuk arrin të jetë më i shpejtë se portieri Vujadinoviç, i cili arrin ta presë këtë top të rrezikshëm. Ky do të jetë edhe rasti i vetëm i pastër gjatë këtij 45-minutëshi të parë, që do të dominohet tërësisht nga miqtë. Ndërkohë Vllaznia, që gjatë gjithë javës së shkuar ka deklaruar se do të fitojë pa shumë probleme në kryeqytet, ka gjetur golin e avantazhit në minutën e tetë. Sykaj shfrytëzon mjaft mirë një krosim nga krahët dhe, pasi gjuan fort me kokë, arrin ta mposhtë portierin Gjonikaj. Ky i fundit, i gjetur i papërgatitur, nuk ka mundur të bëjë asgjë. Kur pritej reagimi i vendësve, të cilët ishin më të interesuar për ta fituar ndeshjen, vjen edhe goditja e dytë e miqve. Në minutën e 13-të, Petroviç do t’i dyfishojë shifrat. Lojtari, i ndodhur në zonë pas një goditjeje nga këndi, gjendet i pamarkuar dhe me kokë e dërgon topin për herë të dytë në rrjetë. Në disavantazhin e dy golave, dinamovitët nuk kanë më se çfarë të bëjnë dhe reagimi i tyre është i vakët. Ndërsa lojtarët e Vllaznisë nuk do të vonojnë shumë dhe do të shënojnë edhe golin e tretë, duke u dhënë fund shpresave të dinamovitëve për të dalë me një fitore nga kjo ndeshje. Gjini jep një pasim të saktë për Gocajn që, në pozicion të prirët me portën, gjuan fort dhe e çon sferën në trekëndësh, aty ku portieri i bluve nuk mund të bëjë asgjë. Goli i tretë ka bërë që stoli i Dinamos të heshtë dhe tashmë të mendojë për sezonin e ardhshëm një kategori më poshtë.
Pjesa e dytë Me startin e së dytës trajneri Mërgjyshi hedh në fushë Ferrën dhe Imamin duke nxjerrë Kulin e Dajën. Loja ka më shumë ritëm, por mungojnë golat. Vllaznia mbrohet mirë, ndërsa Dinamo nuk ka forcën e duhur për të dalë përpara. Të sapofuturit në lojë, Imami dhe Ferraj, kanë mundësitë e tyre për të shënuar, por portieri Vujadinoviç është në një ditë të mirë dhe e mban portën e tij të paprekur. 45 minutat kalojnë shpejt dhe, në minutat e fundit, blutë janë tërësisht të dorëzuar duke u pajtuar edhe më rënien nga Superiorja.

MË I MIRI
Portieri i Vllaznisë, Vujadinoviç, ishte një nga më të mirët në ndeshjen e djeshme. Edhe pse ka qenë i sigurt me mbrojtjen që kishte përpara, malazezi në rastet kur i është kërkuar të reagojë e ka bërë më së miri. Përmendim këtu gjuajtjen e Ferrës, të cilën Vujadinoviç e ka shmangur me roveshatë me një ndërhyrje spektakolare, si dhe goditjen e Imamit, i cili ka qenë i vetëm përballë tij.

MË PAK AKTIVI
I rikthyer në formacionin e bluve, mesfushori Mishel Bilibashi vazhdon të mos kalojë një formë të mirë. Edhe në sfidën e djeshme ai ka humbur shumë topa në mesfushë, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të kundërsulmojë. Bilibashi nuk ka arritur të fitojë asnjë duel më mbrojtësit shkodranë dhe është zëvendësuar nga trajneri Mërgjyshi pa mbaruar ende pjesa e parë.

“Më vjen keq, lojtarët nuk besuan te fitorja”
“Në këtë ndeshje nuk e kishim menduar një humbje në shifra të tilla, edhe pse nuk besonim shumë te fitorja, pavarësisht se matematika vazhdonte të na mbante në lojë. Gjatë javës u munduam të bindnim futbollistët se ishim akoma në lojë, mirëpo pashë që nuk ia kemi arritur qëllimit, pasi skuadra ishte tërësisht e dorëzuar. Për më tepër, goli i shpejtë i Vllaznisë i demotivoi futbollistët, që u duk se edhe para ndeshjes nuk besuan se mund të fitonin, dhe këtë gjë e treguan edhe në fushë. Megjithatë më duhet të them se kemi bërë një fazë të dytë mjaft të mirë dhe kemi arritur të rikuperojmë shumë pikë. Ishim një skuadër që luftuam të vetëm kundër të gjithëve dhe besuam deri në fund. Sinqerisht më vjen keq që nuk arritëm ta shpëtonim Dinamon. Kategoria e Parë ku do të luajmë vitin tjetër është një kampionat i vështirë, sidoqoftë është ende shpejt për të folur”, – ka deklaruar Mërgjyshi.
ARMAND HALILI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"