Dinamo-Besa, një finale për Superioren për të zëvendësuar Skënderbeun. Ja plani i bluve për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2019 | 18:55

Dinamo-Besa, një finale për Superioren për të zëvendësuar Skënderbeun. Ja plani i bluve për elitën

Ndryshimet e mund shme që FSHF-ja pritet të bëjë në Superiore për sezonin e ri përbëjnë temën më të nxehtë të futbollit shqiptar në këtë moment.

156-6

Madje, kjo çështje shumë e rëndësishme po mban “peng” edhe zbardhjen e kalendarit të kampionatit elitar. Së fundmi është folur për përjashtimin e Skënderbeut dhe Luftëtarit dhe zëvendësimin e tyre nga Dinamo dhe Besa. Korçarët pritet të marrin edhe një dënim nga FSHF-ja me zbritje nga kategoria për shkak të dënimit nga UEFA, të lënë në fuqi nga KAS-i.

Luftëtari rrezikonte përjashtimin nga borxhet dhe u duk në prag falimentimi, por situata në Gjirokastër ka ndryshuar dhe ekipi ka nisur punën në terren, me staf të ri teknik. Kjo do të thotë se me shumë mundësi, në Superiore do të lirohet vetëm një vend, ai i Skënderbeut. Atëherë, cila do ta marrë këtë vend, Besa apo Dinamo, dy skuadrat që u renditën në vend të dytë në grupet respektive në Kategorinë e Parë? Zgjidhja mund të vijë nga një ndeshje shtesë mes tyre, pra nga një finale për Superioren.

PLANI I DINAMOS – Te Dinamo nuk po humbin kohë. Ekipi është zhvendosur në Pezë-Helmës për të vazhduar stërvitjen në fushë. Drejtuesit kanë nisur intensivisht punën dhe po bëhen gati për pjesëmarrjen në Superiore, duke parë situatën aktuale.

Madje, ata kanë folur me drejtuesit e Kamzës për t’i luajtur ndeshjet e tyre në stadiumin e Kamzës. Dinamo po plotëson një e nga një kushtet për të qenë gati për Superioren, duke i paraprirë edhe situatës për ngjitjen e vetëm një skuadre nga Kategoria e Parë në elitë. Pra, po mendojnë edhe për një ndeshje të mundshme shtesë me Besën. Dhe në këtë pikë ata kanë nisur kontaktet për të afruar futbollistët që mund t’u bëjnë punë. Ata kanë në plane lojtarë që kanë luajtur më parë me Dinamon, apo që kanë dalë nga shkolla e saj.

Dhe bëhet fjalë për emra me peshë si Gjergji Muzaka dhe Bruno Dita, apo edhe Marvin Turtulli, pa ekip aktualisht. Pra, kryeqytetasit synojnë futbollistë elitarë, kryesisht ata që kanë dalë nga akademia e Dinamos dhe e duan fanellën blu. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë konkretisht, por drejtuesit garantojnë se financat dhe kushtet nuk do të mungojnë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"