Dinamo bën prova për ndryshimin e skemës, Shkëmbi me stil “italian” ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2021 | 10:23

Dinamo bën prova për ndryshimin e skemës, Shkëmbi me stil “italian” ndaj Tiranës

Ndërprerja e kampionatit ka shërbyer si moment reflektimi për Dinamon pas atyre rezultateve jo të mira në disa ndeshje dhe paraqitjes zhgënjyese në derbin e kampionatit me Tiranën. Është një moment reflektimi në aspektin psikologjik mbi të gjitha, por me sa duket edhe në atë taktik.

shkembi

Gazeta mëson se trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij po shohin këto ditë edhe variante të tjera taktike, që mund të jenë më efikase në vazhdim të kampionatit, duke marrë në konsideratë grupin e futbollistëve që kjo skuadër ka.

MBROJTJA ME TRE – Një nga ndryshimet më të mundshme të bluve lidhet me kalimin e mbrojtjes me tre lojtarë. Dinamo deri tani ka luajtur gjithmonë me 4 mbrojtës dhe ky repart në ndeshje të caktuara ka vuajtur, ashtu si e gjithë skuadra. Dinamo mund të kalojë në një skemë me tre mbrojtës në ndeshjet e radhës, stafi teknik po e provon këtë rreshtim dhe mbetet për t’u parë nëse do të bindet deri në sfidën me Tiranën. Nëse bindet, treshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Siljanovski, Sofranak dhe Imami. Janë të tre lojtarë me shumë eksperiencë dhe mund të merren vesh mirë mes tyre. Për momentin është ende një provë, por gjasat janë që stafi teknik i bluve t’i besojë kësaj skeme.

PJESA TJETËR – Nëse blutë vendosin të luajnë me 3 mbrojtës, atëherë mesfusha do të përbëhet me 5 lojtarë ose me 4 lojtarë, nëse Ibraimi do të pozicionohet pas dyshes së sulmit. Isaevski do të jetë në të majtë dhe me tiparet që ka si lojtar, ai mund të ndihmojë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, ku ka luajtur deri tani. Demiri dhe Sidibe (aktualisht i dëmtuar) do të ishin dy mesfushorët e qendrës dhe të djathtë njëri mes Maliqit dhe Haxhiut (edhe këta të dy të dëmtuar për momentin).

Për sulmin gjithçka varet nga pozicioni i Ibraimit. Kapiteni mund të jetë në krah të Çinedusë përpara, pas dyshes sulmuese ose edhe mesfushor i mirëfilltë qendre, duke parë vështirësitë që skuadra ka për të dalë përpara. Këto janë detaje që do të saktësohen me kalimin e ditëve, por te blutë duket se janë të prirur për të ndryshuar skemën e lojës me qëllimin për një paraqitje sa më efikase.

FAJTON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"