Dinamo 3 pikë me sherr ndaj Korabit, dy administratorët përplasen fizikisht për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2020 | 8:58

Dinamo 3 pikë me sherr ndaj Korabit, dy administratorët përplasen fizikisht për…

Dinamo e mbyll pjesën e parë të kampionatit si kryesuese e Grupit A. Suksesi i fundit ndaj Korabit ka ardhur si një dhuratë Krishtlindjesh për drejtuesit italianë. Dinamo fitoi 1-0, ku vendosi i brazilianit Da Silva me penallti në minutën e 53-të.

Dinamo Korabi

Takimi gjatë gjithë kohës është karakterizuar me nervozizëm dhe zënka. Kulmi arriti në minutën e 73-të,një zënkë deri në konfrontim fizik mes administratorit të Korabit Fehmi Mziu dhe administratorit të Dinamos Ermal Barushi. Ka qenë një moment dëmtimi i mbrojtësit Boçi dhe gjyqtari i katërt kërkon barelën në fushë.

Në këtë kohë, Mziu që e konsideron si një vonesë të qëllimshme hedh disa fjalë mbi gjykimin. Barushi ndërhyn: “S’keni turp”,- i drejtohet Mziut. Me të njëjtat fjalë kthehet dhe Mziu, por të sharat pasohen nga fjalë të tjera.

Kjo bën të afrohen pranë njëritjetrit. Fillimisht kanë fërkuar kokat e më pas janë kapur me duar. Por, e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e stjuart dhe çdo gjë është zgjidhur shpejt.

Korabi

PJESA E PARË – Takimi që në start pati tension. Në minutën e tretë portieri Bakaj e Mziu kapen me njëri-tjetrin dhe gjyqtari i ndëshkon me të verdhë. Në minutën e gjashtë dinamovitët kanë një rast me Uelber. Më pas, vijnë tri shpërthime të Skukës në minutat 16, 19 dhe 30, por mbrojtja dinamovite ia ka dalë, kjo edhe nga egoizmi i sulmuesit.

Ai dy herë del i vetëm me portierin, por në vend që të gjuaj drejt portës kërkon t’i driblojë të gjithë. Në të 35-ën, portieri Mehidri tregohet shpëtimtar. Një minutë më pas Paterni pason te Xhixhiua, që godet, por largojnë dibranët.

Në minutën e 38-të, Mziu godet nga larg, por Bakaj largon rrezikun. Fraksioni i parë do të mbyllej me polemika për një penallti në favor të Dinamos. Gjithsesi, nuk ka qenë i këtij mendimi gjyqtari Llapra, që e konsideron shtrirjen në tokë të Kolgegës si simuluese dhe e ndëshkon.

PJESA E DYTË – Në minutën e 48-të, Almeida kroson e Xhixhiua, që në vend të godasë portën, spastron zonën e Korabit. Minuta e 53- të, Pontreli gjatë një driblimi brenda zonës, tërhiqet nga pas nga një mbrojtës dhe gjyqtari, pasi heziton pak, tregon gishtin te pika e penalltisë.

Gjuajtjen e merr përsipër Da Silva që godet saktë, 1-0 për Dinamon. Në minutën e 61-të, Taulant Marku godet bukur me kokë, por topi kalon mbi traun e portës dinamovite. Minuta 72, një gafë e portierit Bakaj, që lë portën dhe kalon vijën ballore. Aty përplaset me Markun dhe topi i harkuar, për pak sa nuk përfundon në rrjetë. Në të 74-ën, Skuka godet me kokë e Bakaj në planzhon shpëton portën dinamovite. Koha e mbetur deri në përfundim ka pasur tensione mes drejtuesve për një mbrojtës të dëmtuar (Boçi), që kërkon mjekim.

Ka vonesa loja dhe gjyqtari akordon 7 minuta shtesë. Dinamovitët mundohen të menaxhojnë rezultatin dhe ia dalin, duke fituar falë golit të minutës së 53-të. Debat e në këtë takim pati për ndërrimet. Dalipi e kërkon shpejt tabelën për një ndërrim, po ishte vetëm një dhe ajo ishte bërë gati për ndërrimin e Dinamos. Megjithatë, gjendet mirëkuptimi duke ia lejuar Dalipit.

ABDULLA DUSHKU  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"