Dimraj: Çështja “Pulaku” do rishikohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2014 | 20:12

Dimraj: Çështja “Pulaku” do rishikohet

DimrajSerisë së rezultateve historike në sportin shqiptar peshëngritja i shtoi pasditen e djeshme nga Europiani i U-23-shit edhe tri medalje të tjera, dy të argjendta dhe 1 të artë. Por, e lënë jashtë listës së kategorive për shpërblim si grupmoshë për medalistët e dyfarëshit, ndryshe nga sa veprohet me të rriturit dhe të rinjtë (25 për qind të masës së të rriturve), zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit Rauf Dimraj në një prononcim për “Panorama Sport” tha hapur se kjo elitë e sportit duhet stimuluar. Megjithatë, sipas tij, në rishikimin e vendimit të Këshillit të Ministrave një gjë e tillë nuk mund të ndryshojë në moment, por hap pas hapi. “Për ndryshimin e vendimit patjetër që duhet një mendim kolegjial dhe, për të arritur deri në fund të këtij procesi, duhet bërë paraprakisht një analizë. Megjithatë, të vijnë sportistët nga kampionati europian i Qipros e më pas do të ulemi dhe kjo çështje do të diskutohet gradualisht”, tha për gazetën në linjë telefonike zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj. I freskët për opinionin sportdashës është edhe precedenti i Romela Begajt që, ndonëse kampione e botës, VKM-ja nuk e merr në konsideratë një rezultat të tillë në një stil. Por u desh premtimi publik i ministres Nikolla për t’i dhënë fund këtij ngërçi disavjeçar. I pyetur nga gazeta për rastin në fjalë, zëvendësministri Dimraj sqaroi: “E quaj çështje të mbyllur. E deklaroi vetë ministrja Lindita Nikolla në konferencën për shtyp, të mbajtur në ceremoninë e pritjes së medalistëve nga Botërori. Pra, është diçka e konfirmuar dhe nuk mund të bëj koment për këtë çështje. Duhet ta pranojmë që rezultati i saj në një stil është i shkëlqyer. Dhe personalisht një arritje e tij më ka emocionuar mjaft, pasi është rezultat i sakrificave dhe djersës”, përfundoi deklaratën e tij zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj. Në të kaluarën peshëngritësit kanë kërkuar vazhdimisht prej organeve përgjegjëse, madje edhe përpara Kryeministrisë, për rishikim të VKM-së për shpërblim jo vetëm të dygarëshit, por edhe të medaljeve të fituara në stilet teke, në shkëputje dhe në shtytje. Ata kanë shkuar deri atje sa të kërcënonin edhe me bojkot të eventeve të rëndësishme ndërkombëtare.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"