Dilemat për kampionatin dhe kontratat e lojtarëve, ja çfarë nuk shkon nëse Superiorja rifillon në qershor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2020 | 11:22

Dilemat për kampionatin dhe kontratat e lojtarëve, ja çfarë nuk shkon nëse Superiorja rifillon në qershor

Kampionati shqiptar me shumë mundësi do të rifillojë në muajin qershor. Superiores i kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe 10 javë, ndërsa Kupa e Shqipërisë nuk ka konsumuar ende turin çerekfinal. Megjithatë, deri atëherë pikëpyetjet janë të mëdha. Së pari do të shikohet situata hap pas hapi, sepse nuk ka asnjë garanci për momentin se kur klubet do t’i rikthehen normalitetit, pra duke zbritur në fushë për të vazhduar stërvitjen. E sigurtë është që kjo nuk ka shanse të ndodhë deri në fillim të muajit prill, kur dhe autoritetet shtetërore kanë urdhëruar ndalimin e çdo aktiviteti futbollistik.

Kategoria Superiore 81
Më pas, nëse situata përmirësohet sa i përket virusit që ka pushtuar tashmë Europën, atëherë ekipet do nisin stërvitjen si të ishin në muajin janar. Gjithçka nga e para, fillimisht duke kryer një minifazë për të përballuar një kalendar super të ngjeshur, ku mendohet se për një periudhe 1-mujore me limit deri më 30 qershor, do të luhen 10 ndeshje për kampionat dhe do të zhvillohet njëkohësisht turi çerekfinal, ai gjysmëfinal dhe finalja e Kupës.

Kalendari pritet të përpilohet këtë muaj nga sektori i garave në FSHF, por përtej kësaj një hall më vete në këtë situatë bëhen kontratat e lojtarëve. “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim në 10 klubet e Superiores dhe rezulton se shumica e futbollistëve ka një kontratë të vlefshme deri më 31 maj. Në këto kushte, nëse zyrtarizohet zhvillimi i pjesës së mbetur të Superiores dhe Kupës në qershor, diçka që në fakt e paralajmëroi për gazetën vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, atëherë klubet janë të detyruara të gjejnë një zgjidhje me futbollistët, pasi ata dalin të lirë. Natyrisht duke pasur parasysh edhe situatën emergjente, gjasat janë që të ndërhyjë edhe FSHF. Janë të pakta klubet që kanë nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm një kontigjent të madh lojtarësh.

kategoria superiore

Madje edhe te Tirana që kryeson renditjen, shumë prej titullarëve u skadon marrëveshja ne fund të majit. Një situatë e paqartë, por që do të marrë zgjidhje vetëm atëherë kur gjërat do të jenë të konfirmuara nga FSHF sa i përket kalendarit. Lojtarët e kampionatit shqiptar janë të shqetësuar në këtë moment edhe për pagesat, për më tepër që mund të qëndrojnë gjatë pa u stërvitur dhe ndihen të pasigurt nëse klubet do të tregohen ose jo korrekte, edhe pse mes palëve ka një kontratë legjitime.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"