“Dilema për formacionin, por s’ka justifikime për ne”, Kanarsa: Apolonia, e para që do të ndalë Bylisin kryesues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 9:28

“Dilema për formacionin, por s’ka justifikime për ne”, Kanarsa: Apolonia, e para që do të ndalë Bylisin kryesues

Apolonia u ka dhënë fund përgatitjeve për sfidën e javës së nëntë me Bylisin. Fierakët udhëtojnë drejt Ballshit për të surprizuar kryesuesit e kampionatit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Juri Kanarsa, thotë se kjo ndeshje e javës së nëntë ka shumë rëndësi, për vetë faktin se kundërshtari ka marrë maksimumin e pikëve në kampionat. Italiani thekson se lojtarët e vlerësojnë maksimalisht Bylisin kryesues, por Apolonia do të kërkojë surprizën në transfertë. Kanarsa e cilëson si një ndeshje mjaft të rëndësishme për të kuptuar gjendjen ku ndodhet ekipi pas disa sfidave jo fort pozitive. Në fund, ai u ndal te formacioni i mundshëm, duke mos i fshehur dilemat për titullarët që do të zbresin në fushë.

Juriy KANARSA

Sa rëndësi ka kjo transfertë për Apoloninë dhe sa të përgatitur jeni për këtë ndeshje?

Sigurisht që ka shumë rëndësi për ne. Luajmë përballë një kundërshtari të pandalshëm deri tani dhe dëshirojmë të jemi të parët që ta ndalim ekipin kryesues. Gjatë gjithë javës jemi stërvitur me intensitet dhe grupi i lojtarëve që kam në dispozicion është në formë të mirë fizike.

Çfarë prisni nga lojtarët në këtë ndeshje delikate?

Më së shumti dëshiroj shmangien e gabimeve të mëparshme, pasi në disa ndeshje kemi bërë gabime elementare dhe kemi humbur shumë pikë. Mendoj se tani është momenti që të korrigjojmë veten dhe të japim maksimumin në fushë.

Mendoni se ka ndikuar kalendari i ngjeshur në ecurinë e deritanishme të Apolonisë?

Nuk mendoj se ka ndikuar kalendari i ngjeshur në rezultatet tona, pasi kemi qenë ne ata që kemi gabuar në momentet kryesore të takimeve. E dimë mjaft mirë që kampionati na rezervon tri ndeshje brenda një jave, mirëpo ne duhet të jemi gati ndaj çdo kundërshtari. Nuk ka më justifikime, pasi jemi profesionistë dhe duhet të sillemi si të tillë.

Sa i përket formacionit, si pritet të zbresë Apolonia në fushë?

Kam dilema për formacionin dhe nuk kam vendosur ende për titullarët. I kam parë me kujdes ata që kam në dispozicion dhe deklaroj me bindje se lojtarët që do të zbresin në fushë do të japin më shumë se 100%.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"