Dikur sfidonte Ronaldon dhe Kakanë në fushë, sot berber në Elbasan… historia e rrallë e Bledar Lenës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2017 | 23:17

Dikur sfidonte Ronaldon dhe Kakanë në fushë, sot berber në Elbasan… historia e rrallë e Bledar Lenës

Dikur luante përballë yjeve si Kristiano Ronaldo, Kaka, Raul & CO, ndërsa sot është… berber. Bëhet fjalë për ish-sulmuesin e Gramozit, Bledar Lena, i cili ka qenë në fushë në sfidën që kolonjarët luajtën me gjigantët botërorë të Realit të Madridit në “Qemal Stafa” disa vite më parë. Edhe pse një futbollist profesionist dhe i shumëshëtitur në skuadrat shqiptare, ku bëri historinë me Kukësin dhe Gramozin, Lena detyrohet të lërë futbollin në moshën 28-vjeçare.

bledar lena

Pasioni dhe dëshira u “mundën” nga nevoja që edhe një futbollist profesionist ka për të jetuar, teksa zgjodhi të bëhej berber, si një punë që mund të fitojë më shumë dhe të gëzojë respektin e njerëzve. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Bledar Lena tregon gjithçka rreth karrierës së tij, ku ndër të tjera shprehet se përballja me Realin e Madridit ishte një shans që të vjen një herë në jetë…

Lena, si nisi karriera juaj si futbollist?

Pothuajse si të gjithë fëmijët në moshë të vogël që kanë pasion futbollin, edhe unë u regjistrova tek ekipet e moshave. Pas paraqitjeve të mira që bëja në ekipin e Fushëmbretit, nisa më pas edhe karrierën si futbollist.

Me cilat skuadra luajtët më pas?

Me sa mbaj mend, e nisa me Domosdovën për të vijuar më pas me Sopotin, Gramshin, Poliçanin, Naftëtarin, Gramozin, Kukësin edhe ndonjë tjetër. Kam luajtur në të gjitha kategoritë e mundshme të futbollit shqiptar.

Cilat janë sukseset në këto klube ku luajtët?

Mund të them që kemi bërë historinë me Gramozin kur e ngjitëm në Superiore, ashtu si edhe me Kukësin. Mendoj se si të gjithë lojtarët e tjerë, edhe unë kam pasur atë pjesën time në arritjen e suksesit të këtyre skuadrave.

Kur ishit pjesë e Gramozit keni qenë në fushë në ndeshjen historike përballë Realit të Madridit, apo jo?

Po, po. Jam aktivizuar në pjesën e dytë dhe është një ndeshje që nuk do ta harroj asnjëherë. Të luash përballë Realit, të mbushur me yje, është një shans që nuk të vjen më në jetë dhe nuk kam si ta harroj…

Na tregoni ndonjë emocion të asaj sfide…

Ajo ndeshje nuk ishte vetëm një emocion për mua apo lojtarët e tjerë që luanin në fushë, por për të gjithë Shqipërinë. Nuk kishte ardhur asnjëherë një ekip i tillë i mbushur me yje botërorë të luante në Shqipëri.

Ia dolët të këmbenit fanellën me ndonjë lojtar?

Për fat të keq, jo. Unë në fanellë mbaja numrin 7 dhe dëshiroja atë të Raulit. Shkova t’ia kërkoja, por ia kishte premtuar Dos Santosit, në mos gaboj. Në fund, dola pa asnjë gjë, por mora kënaqësinë e të luajturit përballë yjeve të tillë.

Tani e keni lënë futbollin dhe nuk do keni asnjë shans për të luajtur. Pse e latë karrierën në mes?

E kam lënë në moshën 28-vjeçare, kur një lojtar mund të themi se është në kulmin e tij. Nuk është se isha i dëmtuar apo nuk isha më në formë, por erdhi një moment kur i thashë “stop”. Nuk luhet gjithë jetën për pasion dhe plot me strese.

Pse thoni kështu?

Tani janë probleme që dihen në futbollin shqiptar, një herë i merr paratë, një herë nuk i merr, ndërkohë që një futbollist me atë rrogë mbahet. Megjithatë, dua të them se te Gramozi dhe Kukësi kanë qenë më të rregullt, në krahasim me ekipet e tjera. Stresi gjithashtu është i madh sepse mjafton të humbësh një ndeshje ose diçka të mos shkojë, nis edhe stresi. Për të mos folur më pas afro 10 vjet karrierë dhe asnjë ditë siguracione! Ndaj, vendosa t’i them “stop” dhe t’i hyj një rruge tjetër.

Keni ndonjë peng që e keni lënë futbollin?

Jo, nuk mund të them peng, sepse unë po të dua kthehem sërish. Por normalisht keq të vjen, sepse jam rritur me futbollin dhe asnjëherë nuk është e lehtë.

bledar lena1

Tani jeni bërë berber. Nga futbollist në berber goxha ndryshim apo jo…?

Po, dhe është diçka që e bëj me dëshirë. Vërtet futbolli ishte dhe mbetet pasioni im, por të paktën tani kam një profesion që paguhet më mirë sesa një futbollist. Duket paradoksale ndoshta kur e mendon, por kjo është e vërteta. Nuk kam më streset që kisha si futbollist dhe të respektojnë më shumë.

Keni ndër mend të ktheheni një ditë sërish në futboll, edhe pse jeni në moshën 32-vjeçare?

Në fakt, kam një peng që nuk luajta dot për ekipin e qytetit tim, Elbasanin. Ishim shumë afër marrëveshjes një vit, por gjërat nuk u konkretizuan. Madje, për këtë sezon që Elbasani luan në Kategorinë e Dytë mund të rikthehesha të luaja për këtë skuadër dhe të jepja kontributin tim me aq sa mundem, por jam i ngarkuar me punën dhe shkollën, ndaj nuk e përballoja dot.

Aktualisht, e keni mbyllur fare me futbollin?

Jo, jo. Sigurisht që luaj futboll dhe marr pjesë nëpër kampionate në ndeshjet e kalçetos. Mund të them se bëj pjesë në një ekip që herë pas here fiton edhe trofe, edhe pse nuk është njëlloj si futbolli që njohim të gjithë.

Po si trajner mund t’ju shohim një ditë?

Kjo edhe mund të ndodhë, sepse aktualisht jam duke mbaruar shkollën për Fizkulturë në master dhe ka lidhje me futbollin. Nuk mund të bëj parashikime në këtë aspekt, por mundësia është e hapur.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"