Dikur kampion në boks, sot në luftë me heroinën: Më braktisën të gjithë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 23:10

Dikur kampion në boks, sot në luftë me heroinën: Më braktisën të gjithë…

SENAD NIKSHIQI/ Para se të niste përdorimin e heroinës, Riad Celufaj ëndërronte të bëhej një ditë kampion në boks, ndërsa sot lufton nga varësia ndaj drogës. Familjarët, të afërmit dhe miqtë thotë se e kanë braktisur, ndërsa prej 6 muajsh nuk injekton më drogë në gjakun e tij. 24-vjeçari nga Shkodra kërkon ndihmë për të mos përfunduar një viktimë më shumë e heroinës.

Riad Celufaj duke folur për “Panorama”

Riad Celufaj duke folur për “Panorama”

“Jam shkatërruar nga droga, kam shkatërruar jetën e familjes”, janë fjalët e të riut. Ai e nisi drogën kur ishte vetëm 18 vjeç duke përdorur heroinë, ndërsa sot ndodhet mes shumë vështirësive.

I riu shkodran tregon përmes një interviste rrugëtimin e jetës së tij deri sot në ditët më të këqija, me shpresën se tashmë do të nisë një kapitull i ri. Rrugëtimi me drogën për Riadin nuk ishte asgjë tjetër veçse një shkatërrim. Vjedhje, borxhe, mashtrime, ndarje nga familja, ndarje nga miqtë dhe të gjitha këto të lënë të kuptosh se 24- vjeçari ka prekur fundin.

Por, Riadi për fat të mirë prej 6 muajsh ka gjetur forcë dhe është shkëputur nga përdorimi i drogës. Sot më shumë se kurrë, ky 24-vjeçar ka nevojë për të gjithë, për familjen, për shokët, për shoqërinë dhe akoma më shumë për shoqatat, institucionet apo individë që kujdesen për këtë shtresë personash.

Rrëfimi i Riadit nuk mbaron me kaq. Ka diçka shumë të rëndësishme për t’u thënë të gjithë të rinjve shkodranë dhe jo vetëm, që rrezikojnë të bien në kurthin e përdorimit të drogës. Riad Celufaj gjeti forcën duke kërkuar publikisht ndihmë.

Riad, si e keni nisur përdorimin e drogës?

Unë e kam nisur që kur isha 18 vjeç. Në atë kohë shkova në një sallë lojërash dhe aty takova rastësisht një person. Ai ishte përdorues dhe duke ndenjur me të e mësova edhe unë. Që atëherë më janë bërë 6 vite që unë përdor heroinën, derisa kam arritur në këtë ditë që kam humbur gjithçka dhe kam nevojë për ndihmë. Jam në një situatë të keqe, ndërsa kam vetëm 1% shpresë, 99% jam i humbur.

Si keni arritur që ta siguroni heroinën, duke qenë se jeni i papunë?

Fillimisht merrja para në shtëpi si çdo i ri. Më pas kam filluar që të marr borxhe kudo dhe nuk i ktheja më paratë në shumicën e rasteve. Pas borxheve te të afërmit, kam nisur të marr borxh në shokë dhe më pas te të njohur të tjerë. Pas borxheve, disa herë jam detyruar të vjedh paratë e shtëpisë ose kam shitur orendi apo gjëra të tjera të shtëpisë.

Riad Celufaj

Po jashtë shtëpisë keni vjedhur?

Fatkeqësisht, disa herë po. Kam vjedhur sepse më duheshin paratë për të siguruar dozën e heroinës. Një përdorues gjithmonë e gjen mënyrën për të siguruar paratë për dozat. Megjithatë, mund të ketë ndonjë rast që mbetesh keq dhe atëherë ke dhimbje të madhe të kokës, të gjithë trupit dhe gjithçka bëhet e padurueshme. Ke dhimbje të madhe kockash dhe të zien i gjithë trupi.

Sa para të duheshin dhe sa doza keni përdorur zakonisht gjatë ditës?

Minimumi, më duhej një dozë që bën 30 mijë lekë të vjetër. Normalisht, një përdoruesi të rregullt i duhen të paktën dy doza në ditë. Unë kam arritur të përdor edhe 5 doza dhe më pas kam qëndruar me nga 3 ditë i shtrirë sepse nuk kam qenë në gjendje që të çohem.

A keni tentuar që të punoni ndonjëherë?

Kam tentuar dy herë, por kam qëndruar shumë pak. Është shumë e vështirë që të punosh sepse ta kërkon trupi dhe e kisha të pamundur. E kam lënë punën dhe shpesh u kërkoja para paradhënie pronarëve dhe derisa ata e kanë kuptuar.

Me kë jetoni aktualisht?

Unë momentalisht jam krejt i vetëm. Babai më ka vdekur para pak kohësh. Nëna me dy vëllezërit dhe motrën janë larguar prej 9 muajsh në Francë dhe më kanë braktisur me të drejtë. Unë kam bërë shumë të këqija dhe ata nuk e meritojnë, ndaj kanë krejtësisht të drejtë. Edhe shokët apo të afërm e të njohur më kanë braktisur për shkak të borxheve dhe problemeve tjera dhe duke parë se përdorja drogën gjithë kohën.

Nuk keni komunikuar gjatë 9 muajve me nënën dhe të tjerët?

Jo, nuk më kanë lejuar dhe përgjigjja e tyre është që unë duhet të kthehem në rrugën e duhur. Nëse kthehem, atëherë pas 5 vitesh a 10 vitesh mbase familja rikthehet tek unë. Unë i kuptoj dhe ata kanë të drejtë. U kërkoj falje për gjithçka atyre dhe gjithë të tjerëve.

Me çfarë jeni marrë para se të nisnit drogën?

Kam qenë një djalë i shkathët them. Kam qenë boksier, kampion me të rinjtë dhe sapo kalova te të rriturit nisa drogën dhe u shkëputa nga sporti. Kam lënë shkollën e mesme, pasi nisa një punë me idenë se do e merrja më pas shkollën dhe doja të përqendrohesha te puna. Shumë shpejt nisa drogën dhe lashë edhe punën dhe shkollën s’e fillova më.

Vazhdon që ta përdorni heroinën?

Jo, unë kam 6 muaj që jam shkëputur dhe nuk e përdor më heroinën.

Çfarë kërkoni ju aktualisht në këtë gjendje që jeni?

Ajo që kërkoj është një ndihmë nga të gjithë ata që kanë mundësi. Kërkoj të më ndihmojnë shoqatat që janë në Shqipëri, institucionet apo kushdo tjetër që ka mundësi sepse tashmë kam mbetur krejt i braktisur dhe kam kuptuar se çfarë kam bërë.

Si e shihni zgjidhjen për të ardhmen e jetës suaj?

Unë dua që të tregohem i sinqertë. Ajo që më kanë rekomanduar edhe doktorët është që të largohem nga Shqipëria në një shtet tjetër sepse edhe doktorët ma kanë thënë që persona si unë është e vështirë të qëndrojnë aty ku kanë përjetuar vuajtjet dhe problemet e mëdha për shkak të drogës. Kështu që, nëse dikush ka mundësi, të më ndihmojë që të largohem nga Shqipëria ose të më gjejnë një punë të rregullt që të nis një jetë të re.

Riad Celufaj

A keni një mesazh për ata të rinj, që sapo kanë nisur të përdorin drogën?

U lutem që ta lënë sa më parë dhe t’i qëndrojnë sa më larg. Mjafton të më shohin mua se ku kam mbërritur dhe se si jam katandisur, duke humbur thuajse gjithçka. Kam shpresë vetëm 1% se gjërat do ndryshojnë dhe 99% jam totalisht i humbur sepse nuk kam asnjë përkrahje. Edhe kur i shoh të rinjtë, mundohem me fjalët e mia që t’u tregoj historinë time dhe t’u them që t’i qëndrojnë sa më larg drogës sepse do t’mohojë edhe familja, siç më ka mohuar mua bashkë me gjithë rrethin shoqëror.

“Nuk është aspak e vështirë të blesh drogë, njoh 40 përdorues”

Riadi tregon se në qytetin e Shkodrës ai njeh të paktën 40 persona që përdorin heroinë. Sipas 24-vjeçarit, për të blerë këtë drogë të fortë nuk është aspak e vështirë.

Sa persona mund të jenë në Shkodër përdorues të heroinës?

Të paktën aq sa njoh unë, janë 40 persona në total përdorues të heroinës dhe të gjithë na njohin në ambulancë sepse kemi qenë disa herë.

Po në shkolla, a keni ndonjë ide nëse përdoret droga?

Po, nga sa kam dijeni të rinjtë e përdorin shumë. Normalisht, jo heroinën, por përdorin shumë hashash. Kam parë edhe 12-vjeçarë, ndërsa 15-16-vjeçarët në shkolla tashmë janë të zakonshëm që e përdorin.

Gjatë 6 viteve që keni përdorur heroinën, ka qenë e vështirë ta sigurosh në Shkodër?

Jo, nuk është e vështirë. Janë disa persona që e kanë. Ata e pinë edhe vetë, por edhe e shesin për të fituar para. Më shumë janë dorë e dytë ose e tretë. Nuk është se kanë sasi të mëdha, thjesht e shpërndajnë.

PANORAMA

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"