Dikur ishin shokë, Soue: Nuk kam dyshime, jam shumë më i fortë se Ekuban

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2017 | 9:46

Dikur ishin shokë, Soue: Nuk kam dyshime, jam shumë më i fortë se Ekuban

Skënderbeu do të presë të shtunën Partizanin, një duel i vërtetë rivalësh, ku kalendari i vë përballë njëri-tjetrit që në javën e tretë. Bardhekuqtë, me katër pikë në dy takime, do të kërkojnë kthimin te fitorja përballë të kuqve, që kanë vetëm një pikë në dy javët e para. Pavarësisht kësaj, kjo sfidë do të ketë edhe një përballje mes së shkuarës dhe së tashmes, ku për rastësi, Kievo është e përbashkëta. Kaleb Ekuban në të kaluarën apo Ali Soue në të tashmen, cili nga këta është më i fortë? Për sulmuesin e Skënderbeut nuk ka asnjë dyshim, ai përgjigjet shkurt: “Ali Soue”.

soue

Soue, një lojë e mirë nga ju, por goli mungon ende. Ju bezdis ky fakt?

Jo, mendoj që jo, goli do të vijë. Nëse punon gjatë gjithë javës me ritmin e duhur, goli patjetër që do të vijë, nuk kam asnjë dyshim. Unë një gjë të tillë jam duke bërë, po punoj vazhdimisht që të jap maksimumin tim në fushë. Nuk është një problem për mua tani mungesa e golit, pasi jam i bindur që do të vijë shumë shpejt.

Tani ka kaluar pak kohë te ky ekip. Çfarë përshtypjesh keni për ekipin dhe për ambientin?

E kam thënë që në fillim kur erdha këtu, se ekipi kishte një harmoni të mirë në vetvete. Më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë bërë të ndihem pjesë e rëndësishme e Skënderbeut që në fillim. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi për një lojtar të ri. Besoj që gjithçka po shkon mirë. Edhe ambienti më duket i përshtatshëm, qyteti është shumë i bukur dhe njerëzit janë shumë të dashur. Jam mirë, por…

soue

Por çfarë?

Për fat të keq, këtu bën më ftohtë se në Itali dhe ndryshimi i klimës në mënyrë të menjëhershme më solli pak probleme. Gjithsesi, mendoj se do të ambientohem shpejt.

Çfarë po ju mungon që nuk po shënoni dot?

Nuk është se më mungon diçka, është paksa pyetje e sikletshme. Unë mendoj vetëm punën dhe besoj se vetëm përmes punës do të vijë edhe goli. Nuk e mendoj ndryshe.

Me Partizanin do të jetë sfida e parë e vërtetë për titullin. Fitorja shikohet si detyrim?

Të luash me Skënderbeun, fitorja gjithmonë është një detyrim. Është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe për këtë, fitorja duhet gjithnjë, pasi objektivi i klubit është që të jesh në vendin e parë dhe të fitosh titullin. Për këtë arsye nuk bëjmë kompromis me asnjë ekip dhe nuk hyjmë në fushë për rezultat tjetër.

Sa e vuan Soue faktin që nuk e bëri fazën përgatitore me ekipin?

Ky aspekt ka ndikim, pasi ambientimi dhe forma do të ishte më e mirë. Por, nuk më duket arsye për t’u vlerësuar, pasi unë ndihem mirë me ekipin. Puna që po bën skuadra më pëlqen shumë dhe kjo është e rëndësishme. Unë e di që ju e keni mendjen te goli im, por me punën e grupit, shumë shpejt do të vijë edhe goli.

Fakti që gjithnjë e më shumë shokët po të vënë një epitet të ri, “bishë”, sa të motivon?

Shumë, dhe jam i lumtur që shokët e skuadrës besojnë tek unë. Është një motivim i madh, sepse, nëse ata kanë besim tek unë, më lind mua puna që të jap më shumë në fushë. Është diçka që duhet t’ua shpërblej. Diçka e bukur kur shokët të vlerësojnë. Gjithçka te Skënderbeu shkon mirë dhe me shokët e ekipit jam miqësuar që në fillim. Besoj se kjo na ndihmon të gjithëve në objektivin e përbashkët që kemi.

ekuban malota radas partizani skenderbeu

Kaleb Ekuban, një vit më parë shënoi dy gola në këtë stadium. Soue pritet që përgjigjet me të njëjtën monedhë?

Qenka fakt interesant dhe nuk e dija. Më vjen mirë që Ekuban ka bërë një sezon të mirë te Partizani, pasi e kam shumë shok, por unë jam këtu për të shkruar historinë time me fanellën e Skënderbeut dhe mendoj vetëm për Skënderbeun. Do të mundohem të bëj më të mirën për vete dhe për ekipin, më pas ju takon juve të nxirrni konkluzionet tuaja. Unë do të përpiqem të jap maksimumin në këtë takim dhe të fitojë ekipi im.

Është më i fortë Ekuban apo Soue?

Nuk ka asnjë dyshim. Ali Soue është shumë më i fortë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"