Dikur intervistonte Murinjon për “Panorama Sport”, sot yll në Hollivud

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2017 | 23:04

Dikur intervistonte Murinjon për “Panorama Sport”, sot yll në Hollivud

Marko Caka sot është një ndër shqiptarët më në zë në trojet tona për shkak të protagonizmit të tij në rritje në Hollivud. Gazetari dhe bashkëpunëtori i “Panorama Group”, që dikur i kushtonte vëmendje të madhe edhe sportit, tani luan në fi lma të rëndësishëm përkrah yjeve të Hollivudit.

Marko Caka dhe murinjo

 

Ish-bashkëpunëtori i “Panorama Sport” rrëfen sot për gazetën se sa ndryshe është të merresh me sport dhe me aktrim. “Dikur kam intervistuar Zhoze Murinjon ekskluzivisht për ‘Panorama Sport’, ndërsa tani përpiqem të jem në lartësinë e gjigantëve si Tom Hanks, apo Hugh Jackman”, rrëfen Marko Caka.

Faksimilet e gazetes

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” ai zbulon planet për të ardhmen, si dhe dëshirën e madhe për t’i dhënë fund beqarisë dhe të nisë ndërtimin e familjes së tij.

Marko Caka me Will Smith

Çfarë ndjesie është që dikur keni intervistuar Zhoze Murinjon dhe sot luani në krah të disa yjeve të Hollivudit?

Absolutisht që ndihem shumë mirë për eksperiencën që kam pasur me intervistat me yjet. Shpeshherë e them se fati më ka ndjekur gjithmonë, pasi asokohe nuk ishte aq lehtë të intervistoje Murinjon…

Ishte trajneri më i mirë i dekadës së fundit të viteve 2000… Të mos harrojmë se gjatë intervistës me mua Murinjo bëri një parashikim profetik pak ditë para përballjes Portugali-Shqipëri, duke i sinjalizuar lojtarët e Kombëtares së tij që të bënin kujdes ndaj shqiptarëve.

Dhe ashtu doli, sepse Shqipëria mori barazim ndaj Portugalisë së Ronaldos në shtëpinë e tyre. Kam pasur fatin që në gazetari të isha kudo pranë yjeve të futbollit dhe tani pranë yjeve të kinemasë, duke fituar një eksperiencë të paimagjinueshme.

Sa e vështirë është të kalosh nga profi li i gazetarit në atë të aktorit?

Çdo gjë varet nga dëshira dhe vullneti se çfarë kërkon njeriu të bëjë. Unë gjithnjë kam ecur me mendimin se duhet të nisësh me punët e vogla ashtu si në gazetari.

Pastaj fillon e burrërohesh, duke ndërtuar profi lin në nivele më të larta. Të gjitha këto të bazuara në vlerat e tua si njeri, duke qenë sa më i thjeshtë dhe i respektueshëm te të tjerët. Këto elementë janë shumë të nevojshme për të kapur suksesin edhe si aktor, duke fi tuar një besueshmëri të lartë.

A e di ndonjë nga miqtë aty se në karrierën tuaj ju është dashur të bëni edhe gazetarin sportiv?

Po, disa janë në dijeni të kësaj, madje një ish-agjenti imi ma cilëson shpesh këtë dhe që në fi llim më thoshte se “ti duke pasur eksperiencën e gazetarit nuk e ke të vështirë të bëhesh aktor i madh”.

Aktori nuk është asgjë tjetër veçse një njohës shumë i mirë i karaktereve dhe kush mund t’i njohë më mirë karakteret në jetën reale sesa gazetari i terrenit, i cili përcjell në kronikat e tij drama e tragjedi, gëzime, emocione nga më të ndryshmet.

Ndërsa aktorit i duhet të punojë shumë me skenarin apo të udhëtoje drejt vendngjarjeve për të njohur karakterin e rolit të tij. Duke qenë gazetar, ai është i gatshëm prej eksperiencave që ka.

Cili nga yjet e Hollivudit ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë punës që keni bërë bashkë?

Dy më kanë bërë përshtypje gjatë gjithë punës sime me filmin dhe që kam ndarë me ta ditë të tëra në sheshxhirim. I pari është Tom Hanks për nivelin e lartë të aktrimit, por i ftohtë si njeri dhe i fokusuar në punë.

Dhe tjetri është Hugh Jackman… Edhe ai shumë unik dhe më i veçanti në performancën e tij. Më bënte përshtypje sepse nuk kishte nevojë për shumë dubla, por mbi të gjitha shumë i thjeshtë dhe i dashur me bashkëpunëtorët.

Më mirë aktor apo gazetar?

Atë nuk mund ta them dot, sepse e kam të vështirë që t’i ndaj nga njëra-tjetra. E them këtë sepse tashmë edhe lidhja me filmin më është kthyer në pasion, por do të preferoja t’i mbaja të dyja afër, së bashku me eksperiencat e tyre.

Cili profesion është më i vështirë?

Secili ka peshën e vet të vështirësisë. Në të dy profesionet duhet të punosh për të qenë në nivelet më të larta. Mbase në aktrim duhet të punosh vazhdimisht me karakteret që kërkohen deri në detaje për të bërë diferencën, sepse konkurrenca është shumë më e madhe dhe e dukshme. Ndërsa pena e gazetarit është njëherë e lindur, mjafton të vraposh për të përcjellë lajmin…

A ka ndryshuar raporti juaj me femrat tani?

Unë asnjëherë nuk pasur luhatje në raport me femrat, sepse i kam pasur të harmonishme gjithmonë. I kam konsideruar të barabarta dhe miqësore si në aspektin profesional, ashtu dhe në atë shoqëror.

Në punë asnjëherë nuk ngatërron raportet e marrëdhënieve me femrat. Jashtë punës je i lirë t’i ndërtosh si të duash marrëdhëniet me cilëndo, mjafton që të jenë reciproke dhe të harmonishme.

Gjithsesi, nuk mund ta mohoj se tani si aktor i industrisë së produksioneve hollivudiane bëhesh më i pëlqyeshëm nga shumë fansa të fi lmave të të gjitha kombësive, të cilat vazhdimisht më komplimentojnë nëpër evente të ndryshme.

Ndonjëherë kam edhe “ngacmime” në rrjetet sociale, por të gjitha këto i marr më tepër si një vlerësim prej artdashësi nga fansa që kanë dashuri për artistët.

Cilat janë planet për të ardhmen?

Në karrierën e filmit asnjëherë nuk ke plane të largëta, sepse është gjithçka në varësi të projekteve të reja dhe cila më përshtatet mua. Më duhet të punoj vazhdimisht për të mbajtur performancën në nivele të larta për të arritur qëllimin tim. Por ajo që duhet të ndryshoj më shumë është statusi i beqarisë dhe të përqendrohem për të ndërtuar familjen time të shtrenjtë.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"