Dikur bomber me Tiranën, tani doktor në Madrid, flet Petrit Dibra: Luftojmë për jetën, nuk takoj dot as gruan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2020 | 0:13

Dikur bomber me Tiranën, tani doktor në Madrid, flet Petrit Dibra: Luftojmë për jetën, nuk takoj dot as gruan

Ish-futbollisti legjendar i 17 Nëntorit të viteve 70-80, sulmuesi dhe golashënuesi i njohur bardheblu, prej 30-vitesh jeton në Spanjë në kryeqytetin Madrid. Me profesionin mjek gjinekolog, edhe ai po e përjeton këtë situatë si mjek i angazhuar për të qenë natë e ditë në detyrë e në gadishmëri për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.

DIBRA TIRANA

Petrit Dibra dhe Arben Minga me fanellën e Tiranës, gjatë testimit fizik në stadiumin “Selman Stërmasi”

Ndonëse larg, me qindra km nga Shqipëria, komunikimi me të si gjithmonë të ofron doktorin, futbollistin, por edhe njeriun shumë human. Ai është përherë i sjellshëm, i edukuar e të gatshëm të shprehë çfarë mendon dhe si po e përjeton ai, familja dhe kolegët këtë moment kur koronavirusi ka goditur ashpër edhe Spanjën, veçanërisht Madridin, ku ai jeton e punon.

Për “Panorama Sport”, doktori, kështu e kanë thirrur edhe kur luante, thotë: “Situata është shumë e rëndë, madje kritike. Mjekët janë në rradhë të parë të luftës. Me ta edhe unë”.

Dr.Dibra, kështu më vjen t’ju them në këtë kohë por edhe si dikur, si po e kaloni këtë situatë?

Unë jam në punë gjatë gjithë ditës. Në spital operacionet gjinekologjike të programuara janë ndërprerë ose janë pezulluar, por jo lindjet, pasirastet urgjente të cilat vijojnë. Disa ditë më parë, kam asistuar në një lindje të një gruaje me koronavirus. Për fat pacientja dhe fëmija janë mirë.

Në spital, çdo ditë, pa ndërprerje…?

Me automjetin tim, sigurisht pa trafik, me rrugët e boshatisura të Madridit, për dhjetë minuta jam në spital. Kur kthehem, zakonisht rreth orës 20:00, koincidon me kohën kur në të gjitha dritaret, ballkonet e Madridit dalin njerëz, duke duatrokitur për personelin sanitar, që janë në rreshtin e parë të rrezikut. Shumë emocionuese. Sot, janë mbi 10 mijë pjesëtarë të personelit të infektuar.

Si e keni atmoferën në shtëpi?

Jam vetëm me gruan, Esperancën. Bëjmë një jetë të ndarë e veçuar nga njëri-tjetri, pasi ajo vuan nga artriti. Kur kthehem shmang kontaktet, jam shumë i kujdesshëm për gjithçka, pasi si mjek spitali, në kontakte të vazhdueshme, jam person me rrezik. Pazarin e bëj një herë në javë. Ndërsa vajza me bashkëshortin, jetojnë në apartamentin e tyre. Bea, është bërë nënë dhe unë asistova në lindjen e mbesës time. Kemi më shumë se tre, katër javë pa e parë e përqafuar vogëlushen. Sigurisht kohën e mbetur e kaloj me internetin, me informacionet u fundit që jepen, situatën jo vetëm në Spanjë. Por edhe komunikimin me kolegë mjekë. Dhe padyshim me njerëzit e mi, miqtë në Shqipëri me të cilët shqetësimi është i gjithanshëm.

DIBRA

Petrit Dibra me 2 mjeke të tjera, gjatë punës në Madrid..

Nga mediat shohim situatë e rëndë në Spanjë, çfarë ndodh në Madrid?     

Një dramë e madhe, e paimagjinueshme. Me qindra njerëz që vdesin, nuk arrijnë as t’i djegin. Një situatë tmerrësisht e trishtueshme. Por ka një solidaritet total. Ndonëse edhe sportistët, shoqëritë janë të goditur, nga individë, klubet e mëdha në solidaritet, janë treguar të gatshëm që një pjesë të pagave t’i ofrojnë si ndihmë për spitalet, të sëmurët. Më ka emocionuuar fakti që disa mjekë nga Shqipëria, u nisëm për në Itali, në ndihmë të situatës së rëndë që zotëron edhe atje. Kam lexuar e parë në Tv jehonën për këtë veprim human.

Si po e përjeton Madridi fundjavën pa sport?

Një kolaps total. Madrilenët nuk ishin mësuar kurrë më parë me një situatë të tillë, pa futboll, pa demat dhe papritur i është hequr diçka e madhe jetësore. Një qytet pa jetë, të gjithë të mbyllur e izoluar nga çfarë po përjetojmë. Një “Bernabeu” i heshtur gati të presë të sëmurë, jo ndeshje dhe spektatorë… Një situatë e pabesueshme edhe në këtë aspect.

Reali i madh, “Bernabeu”, Barecelona e Mesit…. E pabesueshme, apo jo?

Një ndryshim 100 përqind, vërtetë e pabesueshme. Të gjithë kanë qëndruar në Spanjë, të izoluar, nuk i thyejnë rregullat. Vetëm në një rast dy lojtarë serbë, basketbollistë të Realit, u larguan pa leje në Beograd, aty i ndalën, i gjobitën. I identifikuan me koronavirus, që i detyruan lojtarët e Realit të futen në karantinë 15-ditore.

Dibra, në mënyrë simbolike nëse sot do t’ju jepej mundësia për të shënuar edhe një herë golin më të bukur të karrierës si do ta mendoje atë gol?

Jo më i bukuri, por më i rëndësishmi do të thoja, pa asnjë dyshim, do të ishte ai kundër Covid 19. Për të fituar ndeshjen e jetës, kështu do e konsideroja këtë përballje e për gjetur sa më shpejt vaksinën që do shpëtonte njerëzimin nga kjo epidemi shkatërruese.

Dhe e fundit, nga Madridi, cila do të ishte këshilla e Petrit Dibrës, doktorit dhe futbollistit bardheblu për shqiptarët?

Të respektojnë orientimet, asnjë tolerim. Nuk është si në kohën tonë kur me grip, apo temperaturë luanim. Sot është krejt ndryshe, epidemia po vrapon me një hap galop të madh. Një ndeshje, ku kujdesi, vetëkontrolli, ndërgjegja duhet të jenë në maksimum. Trajnerë, arbitër, lojtarë në këtë sfidë tejet të vështirë dhe ndaj një kundërshtari jo komod, as modest e rivalizues, por vrasës, duhet të jemi vetë ne.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"