Dikur bënin epokë në futbollin e luajtur, Panuçi mund Gigsin në ndeshjet direkte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 14:49

Dikur bënin epokë në futbollin e luajtur, Panuçi mund Gigsin në ndeshjet direkte

Kristian Panuçi dhe Rajan Gigs. Do të përballen sot në “Elbasan Arena” dy nga lojtarët e mëdhenj që kanë bërë histori në futbollin europian. Legjenda italiane, Kristian Panuçi, që drejton aktualisht Kombëtaren shqiptare, ka luajtur me skuadra të mëdha si Milani, Reali i Madridit, Interi, Monako dhe Roma.

Gigs dhe Panuci

Nga ana tjetër, do të ketë Rajan Gigsin, i cili bëri histori me Mançester Junajtid. Panuçi dhe Gigsi patën fatin që të triumfonin edhe në kompeticionin më të madh europian si Champions League. Trajneri kuqezi fitoi me Milanin dhe Realin e Madridit, ndërsa Gigs me “Djajtë”.

Në palmaresin personal të tyre ka shumë trofe dhe tituj kampionë. Gjatë karrierës ndërkombëtare me kombëtaren e Italisë, Panuçi luajti 57 ndeshje mes viteve 1994-2008, përfshirë edhe 4 ndeshje kundër Uellsit. Ata kanë qenë të dy titullarë në këto përballje, ku bilanci është pozitiv në anën e trajnerit të Kombëtares tonë. Ai ka fituar 3 përballje, ndërsa Gigs 1.

Gigs Panuci

Por, nuk përfundon këtu, sepse Panuçi dhe Gigs janë përballur me njëri-tjetrin edhe në Premier Ligë kur italiani veshi fanellën e Çelsit. Kjo ndeshje ka përfunduar në barazim. Të dy janë sfiduar edhe në Ligën e Kampioneve, por këtu shifrat janë pro uellsianit. Në tri ndeshje, Gigs ka fituar 2, ndërsa Panuçi vetëm një.

Në total: 8 përballje: 4 fitore për Panuçin, 3 për Gigsin dhe një barazim. Sot, mes dy legjendave të futbollit të luajtur, do të jetë një kapitull i ri. Përballen me njëri-tjetrin për herë të parë si trajnerë në një miqësore. Të dy duan të harrojnë zhgënjimin e një ndeshjeje më parë, ku Shqipëria humbi ndaj Skocisë dhe Uellsi ndaj Danimarkës, në sfidat e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Statistikat

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"