Dietë dhe palestër, Mesi ka planin që të mundë edhe… plakjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 20:58

Dietë dhe palestër, Mesi ka planin që të mundë edhe… plakjen

Asnjë krizë rezultatesh dhe asnjë vit pa trofe. Asgjë nuk mund ta bëjë Barcelonën dhe katalanasit të mendojnë një të ardhme pa Lionel Mesin. 

Lionel-Messi-Barcelona2

Diçka që e gjithë bota e di se do të vijë, por tifozët nuk duan as ta dëgjojnë dhe as të flasin për të. Është një realitet i pakëndshëm, të cilin Leo Mesi e solli vetë në vëmendje në mbrëmjen gala të “Topit të Artë”. Vetë kapiteni i Barcelonës hapi kutinë e Pandorës.

“Një trofe i tillë të shijon më shumë, kur e di që karriera është drejt fundit”, tha fillimisht Leo. Ishte pikërisht ai që tregoi dëshirën për të luajtur sa më gjatë. “Shpresoj që Zoti të më ndihmojë që të më kenë mbetur shumë vite të tjera karriere. Tani jam 32 vjeç dhe në rrugën për 33. E kam thënë më parë se gjithçka do të varet nga mënyra sesi do të jem fizikisht. Sot për sot ndihem shumë mirë, madje më mirë se kurrë në nivelin fizik”, theksoi argjentinasi. Pavarësisht se me deklaratën e tij të parë përhapi panik dhe alarmoi tifozët e Barcelonës, u kujdes sërish që t’i qetësonte. Në zyrat e klubit janë të qetë dhe të bindur që Leo do të vazhdojë të luajë edhe për disa vite (Bartomeu tha 4). Mesi ka një plan për ta zgjatur karrierën e tij duke punuar në mënyrë intensive dhe specifike.

FC Barcelona v Villarreal CF  - La Liga

Te Barcelona nuk besojnë se fundi i karrierës së Leo Mesit do të jetë i menjëhershëm, por e dinë që i ka mbetur shumë kohë për të thyer të gjitha rekordet dhe për të arritur objektivat që ka në mendje. “Qetësohuni, sepse Mesi nuk do ta lërë futbollin. Fjalët e tij nuk duhet të përhapin panik sepse unë kam folur shumë me të dhe i kanë mbetur shumë ndeshje për të luajtur”, ka thënë Bartomeu.

KUJDES– Në çdo rast, Leo Mesi e kushtëzon datën e tërheqjes nga futbolli me faktin se si do të ndihet fizikisht. Kjo do të thotë se jetëgjatësia e tij në fushë varet edhe nga kujdesi. Prej vitesh, kampioni argjentinas është duke punuar për trupin e tij duke bërë përgatitje fizike ekstra dhe duke mbajtur dieta të veçanta për të qenë sa më në formë. Karlos Kuejar ka folur rreth Leo Mesit dhe thotë se kujdesi ndaj ushqimit është shumë i rëndësishëm për jetëgjatësinë në sport.

barcelona slavia

“Jam i sigurt që Mesi është i kujdesshëm për ushqimin e tij. Diçka e tillë do ta ndihmojë shumë që ta zgjasë karrierën, por edhe të japë më të mirën në ndeshje. Dieta gjithashtu ndihmon edhe në rikuperimin e shpejtë nga dëmtimet”, thotë Kuejar. Duke marrë si pikë referimi katër të mëdhenjtë e historisë së futbollit, do të kuptojmë që Leos i kanë mbetur edhe shumë vite (është 32 vjeç). Pele u tërhoq nga futbolli në moshën 36-vjeçare, Krojf dhe Maradona 37 vjeç dhe Di Stefano 39. Ende disa vite për të shijuar futbollin e “Pleshtit”.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"