“Diçka nuk shkon, pësuam 4 herë nga 5 aksione”, trajneri Inzagi: Shumë gabime, por do të jemi gati për Leçen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 22:29

“Diçka nuk shkon, pësuam 4 herë nga 5 aksione”, trajneri Inzagi: Shumë gabime, por do të jemi gati për Leçen

Simone Inzagi, edhe pse nuk është i kënaqur me rezultatin e marrë ndaj Vijarealit, kërkon të qëndrojë optimist, ndërkohë që e ka përqendruar gjithë vëmendjen te përgatitjet e ndeshjes së parë zyrtare të këtij sezoni, atë ndaj Leçes, të vlefshme për javën e parë të Serisë A, që nis të shtunën.

inzagi

I vetëdijshëm për pikat e dobëta të Interit të tij, trajneri zikaltër është shprehur mbi përgatitjet dhe individët, pa harruar të paralajmërojë se pavarësisht të gjithave, skuadra e tij do të jetë gati për startin.

RIVALI – “E dinim të gjithë vështirësinë e ndeshjes, pasi kundërshtari ishte i një niveli të lartë. Luajtëm ndaj një skuadre që ka qenë në gjysmëfinalet e Champions League dhe i ka nisur përgatitjet para nesh, kështu që nuk më çudit impenjimi që patëm, edhe pse të gjitha miqësoret kanë qenë të një niveli të lartë”.

PARAQITJA – “Unë kam parë gjëra të mira te skuadra të cilat sigurisht që do të na vlejnë shumë gjatë gjithë sezonit, por kam parë edhe mangësi të caktuara në prapavijë. Vijareali mbërriti 5 herë në zonën tonë dhe shënoi 4 gola, kështu që ka diçka që nuk shkon dhe duhet parë.

Gjithsesi, edhe pse duhet të punojmë akoma shumë, jemi në gjendje të mirë, pasi sot u paraqitëm mirë në fazën e zotërimit të topit. Kemi gjithë motivimin e nevojshëm për të bërë mirë dhe ju siguroj se ndaj Leçes do të mbërrijmë në formën tonë optimale për të debutuar si duhet në këtë sezon”.

INDIVIDËT – “Shkriniar e nisi fazën me vonesë dhe pavarësisht kësaj është në gjendje shumë të mirë dhe në të njëjtën formë shpresojmë të paraqitet edhe Brozoviç pasi të lërë pas shqetësimin. Çdo lojtar do të jetë shumë i rëndësishëm për të realizuar të gjitha idetë tona dhe unë dua dhe shpresoj të kem të gjitha skuadrën në dispozicion për të nisur këtë rrugë të gjatë, që e dimë se nuk do të jetë aspak e thjeshtë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"