Dibranët mendojnë përmbysjen ndaj Vorës, Korabi është “fiksuar” pas kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2021 | 12:49

Dibranët mendojnë përmbysjen ndaj Vorës, Korabi është “fiksuar” pas kampionatit

Dibranët mendojnë përmbysjen Korabi është “fiksuar” pas kampionatit, por as Kupën e Shqipërisë nuk do ta neglizhojnë. Edhe pse në Pezë humbën në shifrat 2-1 përballë Vorës, sot që e presin në shtëpi, do të tentojnë gjithçka për gjithçka. E lehtë nuk do të jetë dhe sidomos kur formacioni do të jetë një “miks”, e megjithatë dibranët do të luajnë për… përmbysjen.

Korabi

Kur kanë gati dy javë që pushojnë, do të zbresin në fushë me idenë e qartë për të bërë mirë, dhe pse jo, kaluar në raundin tjetër. Artan Mërgjyshi do ta shfrytëzojë këtë takim për të parë gjendjen e grupit dhe kryesisht të atyre që nuk kanë marrë shumë minuta në Kategorinë e Parë. Me garën që sa vjen e ashpërsohet, trajneri pret që të ketë edhe një stol të blinduar.

Formacioni nuk është saktësuar ende, pasi gjatë gjithë javës kanë bërë prova. Vëmendja e Korabit është e gjitha te ngjitja dhe pozitat që kanë momentalisht i lejojnë që të besojnë. Me tri fitore dhe një barazim janë në vend të parë dhe do të bëjnë çmos që të mos lëshojnë terren për të realizuar misionin “Superiore”.

VORA

Sfilitje për Kupën e Shqipërisë. Vora do të niset pikërisht sot në Peshkopi dhe kjo e bën këtë transfertë torturuese. Pasi të luajë ndeshjen me Korabin, direkt do të marrë rrugën e kthimit për në kryeqytet. Megjithatë, objektivi është i qartë: kualifikimi. Fitorja 2-1 i bën favorit dhe me këtë qëllim do të zbresin në fushë. Gerald Çani ka hequr dorë nga skema sulmuese dhe sot do të hedhë në fushë një formacion më të ngjeshur. Zini Tavani është optimist për një rezultat pozitiv edhe në Peshkopi. Edhe pse është me origjinë dibrane, ai nuk ndien kurrfarë sikleti dhe është gati që të bëjë profesionistin.

“Jam dibran dhe më pëlqen të luajë në atë stadium. Kam shumë miq dhe shokë këtu në Dibër. Gjithsesi, futbolli profesionist nganjëherë të bën që të kundërshtosh dëshirat e tua. Por nesër (sot) unë do të jem atje për të shënuar, pasi klubi im synon kualifikimin. Dëshiroj të shënoj një gol, por gjithsesi nuk do ta festoj atë. Vora ka bërë të gjitha përgatitjet për të qenë e kualifikuar. Kemi favor ndeshjen e parë, të cilën e kemi fituar, por do të jemi të kënaqur dhe me një barazim”, tha mes të tjerash sulmuesi për “Panorama Sport”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"