Dibra optimist: Besëlidhja s’heq dorë asnjëherë nga Kupa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2020 | 9:21

Dibra optimist: Besëlidhja s’heq dorë asnjëherë nga Kupa

Besëlidhja, nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi, po shkon drejt fundit të përgatitjeve për startin e sezonit 2020- ’21. Ndeshja e parë luhet të dielën për llogari të Kupës së Shqipërisë, ku lezhjanët ndeshen me Egnatian, një kundërshtar që e kishin në të njëjtin grup sezonin e fundit, por që aktualisht ka ndryshuar shumë. Në këtë ndeshje do të vendoset se kush do ta kalojë turin dhe njëkohësisht do të kuptohet në njëfarë mënyre se çfarë mund të arrihet në kampionat.

Beselidhja-goli

DIBRA – Kapiteni i Besëlidhjes, mbrojtësi 28-vjeçar Kledi Dibra, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, pohon se skuadra është në gjendje të luftojë në të dyja kompeticionet, siç ka bërë çdo vit. “Ka rreth 5 javë që Besëlidhja është e gatshme për startin e sezonit të ri dhe lajmi për nisjen e tij të dielën na ka gëzuar të gjithëve. Shtyrja e kampionatit për më shumë se 6 javë ka qenë një makth i vërtetë, sidomos gjatë muajt tetor, kur mendoj se ishim të gatshëm nga të gjitha pikëpamjet.

Sezonin e ri do ta nisim me ndeshjen e Kupës, një gjë normale, por rregullorja e re na bën të mendohemi mirë para se të zbresim në arenën e blertë. Ashtu siç e prisnim, ky sezon do të jetë shumë i ngjeshur dhe pas ndeshjes së Kupës të dielën, të mërkurën do të presim në shtëpi Vorën për startin e kampionatit, ku kemi edhe objektivin final. Ashtu si në kampionat, edhe në Kupë kemi objektiva, pasi ia kemi marrë dorën me kualifikimet që kemi arritur sezonet e fundit.

Ashtu siç e theksova edhe më lart, ngjeshja e kampionatit është e pashmangshme, pra praktikisht për shumë kohë do të zhvillojmë ndeshje zyrtare tri herë në javë, ndonëse teorikisht thuhet 2 herë në javë. Kam besim te kjo Besëlidhje se ndeshjen e së dielës ndaj Egnatias do ta fitojmë pa nevojën e shtesës. Na duhen energji për të mërkurën në startin e kampionatit”, deklaroi kapiteni i Besëlidhjes. Mbrojtësi shkodran do të luajë sezonin e dhjetë me fanellën e skuadrës lezhjane.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"