Dibala ul maskën, zgjedh të rrijë te Juventusi/ Gjuha e trupit foli qartë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 22:11

Dibala ul maskën, zgjedh të rrijë te Juventusi/ Gjuha e trupit foli qartë…

Të shtunën kundër Udinezes, një gol pa festë dhe me shikimin nervoz drejtuar tribunës, ndërsa të martën buzëqeshje, duartrokitje dhe ovacione për golin ndaj Sampdorias. Mes dy episodeve kishin kaluar vetëm një grusht orësh, ndonëse mjaft intensive, ndonëse gjuha e trupit në mbrëmjen e Kupës së Italisë foli qartë.

Dybala

Numri 10 bardhezi, ai që duhet të tregojë dhe ndoshta e tregoi qartë me dy gola radhazi se e meriton peshën e fanellës që mban, vendosi që të flasë hapur. Nëse të shtunën u përgjigj me fjalë të mbushura plot sarkazëm dhe pak mllef kundër thumbimeve të drejtorit Arrivabene, pas tri ditësh gjithsesi u duk qartë se diçka kishte ndryshuar. Dhe jo ndoshta vetëm sepse këtë herë në tribunën qendrore ndodhej figura me peshë e presidentit Andrea Anjeli…

Sulmuesi argjentinas e tregoi në fushë se cili është mendimi dhe dëshira e tij për të ardhmen… Paulo kërkon të qëndrojë te Juventusi dhe ai shpreson që çështja e rinovimit të përfundojë me sukses sa më shpejt.

“Kurrë tek Interi”, për më tepër ishin fjalët e tij ndaj miqve dhe të afërmve, si përgjigje për ata që e pyesnin lidhur me interesimin e hapur të Interit në drejtim të tij. Dhe ndoshta pikërisht për këtë gjest respekti edhe tifozëria bardhezi në të gjithë Italinë dhe në botë vendosi të mbështesë me gjeste, kore e falënderime në rrjetet sociale figurën e 28- vjeçarit.

Por ndërsa ultrasit e përqafuan hapur, edhe Dibala vendosi që t’i japë drejtuesve bardhezinj arsyet pse ata nuk duhet ta lëshojnë kurrsesi një futbollist si ai. Me dy gola në tri ditë, Paulo konfirmoi se nëse e vënë përpara përgjegjësive, ai di se si të shpërthejë dhe mbase Juvja e ka gjetur çelësin se si të nxjerrë dhe të marrë nga argjentinasi më të mirën e tij.

Aktualisht Dibala numëron 11 gola sezonalë dhe 111 në total, pas transferimit nga Palermo në Torino. Jo keq për njërin që për hir të së vërtetës ka udhëtuar shpesh mes uljengritjeve, pak për brishtësinë e tij psikologjike, pak për faj të disa dëmtimeve që sidomos në dy sezonet e kaluara bënë që ai të mos kishte vazhdimësi.

Gjithsesi, pavarësisht zhgënjimit të certifikuar nga fjalët e shpenzuara së fundmi nga drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Dibala jo vetëm që e tregoi me një festë dhe një fluturim në ajër drejtuar tifozërisë së tij se kërkon të qëndrojë, por mbi të gjitha është gati që të realizojë edhe golin e tretë radhazi, në pritje të asaj sfide me Milanin, e cila mund ta katapultojë Juven në zonën Champions.

Sepse fundja, kur sheh Dibalën që në fund të ndeshjes me Sampin t’i dhurojë edhe topin e penalltisë Moratës, shokut të ekipit dhe të repartit që kishte shumë nevojë që të rigjente oksigjenin që dhuron goli, këto cilësi janë pikërisht ato që kërkon edhe “stili Juventus”: cilësi, por mbi të gjitha respekt dhe përulësi për ngjyrat e “Zonjës së Vjetër”. Shkurt, Dibala meriton Juven dhe Juvja nuk duhet ta lëshojë Dibalën…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"