Dibala: Rri te Juvja derisa të më duan, e vështirë të luash përkrah Mesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2017 | 21:14

Dibala: Rri te Juvja derisa të më duan, e vështirë të luash përkrah Mesit

Paulo Dibala shpreson që Juventusi të arrijë të dhurojë një tjetër paraqitje të shkëlqyer në “Kamp Nou”, si ajo që bëri në edicionin e kaluar, kur eliminuan katalanasit nga Liga e Kampioneve. Në takimin e nesërm në fazën në grupe të turneut, ylli argjentinas bëri të qartë se kundërshtari duhej respektuar maksimalisht, edhe pse kishte humbur një element të rëndësishëm si Nejmar.

Dibala feston

“Ka humbur shumë, por është një skuadër që duhet respektuar gjithmonë, u treguan të aftë të zëvendësonin menjëherë Nejmar”, theksoi ai.

Dibala ishte një nga emrat që përflitej si zëvendësuesi i mundshëm i brazilianit te Barcelona, por futbollisti përgënjeshtroi zërat për negociata mes palëve.

“Aktualisht ndjehem mirë te Juventusi por nuk di çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Nuk di të them nëse kishte interes nga Barcelona, nuk më ka thënë kush gjë. Në klub më thanë se kishin dëshirë që të isha pjesë e projektit dhe do të vazhdoj këtu derisa Juventusi dhe presidenti të më dëshirojnë”.

Një arsye pse lojtari për momentin ndoshta nuk preferon Barcelonës, është se po të transferohej në Spanjë, do t’i duhej të ndryshonte një pozicion ku po paraqitet mjaft mirë.

Dibala dhe messi

“Mesi është që tani shok skuadre me mua te Argjentina. Ai luan në të njëjtin pozicion me mua dhe më duhet të mësoj shumë gjëra nga ai, si e interpreton lojën, si mendon, si i sheh lëvizjet e shokëve të skuadrës. Kjo mund të më ndihmojë në të ardhmen. Është fat ta kem përkrah, do të më ndihmojë shumë në të ardhmen.

Por është e vështirë të luash me të, pasi luajmë në të njëjtin pozicion. Gjithmonë, mua më duhet të përshtatem dhe duhet ta bëj të ndjehem sa më komod. Mesit i ecën gjithmonë mirë, shihet edhe në ndeshjet e fundit me Barcelonën”, tha Dibala në konferencën për shtyp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"