“Dibala në dyshim, s’e di se si mundet Fejnordi”, Murinjo: Mjafton të shënojmë 2 gola dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2023 | 14:49

“Dibala në dyshim, s’e di se si mundet Fejnordi”, Murinjo: Mjafton të shënojmë 2 gola dhe…

Në pritje të çerekfinales së kthimit të Ligës së Europës (kujtojmë se Roma-Fejnord ishte edhe finalja e Tiranës, për Ligën e Konferencës në sezonin e kaluar), Zhoze Murinjo kërkon mbështetjen masive të tifozëve të “Olimpikes”, ndërkohë që numëron edhe mungesat.

murinjo

Madje pikërisht nga ato nis edhe konferenca e tij, duke dhënë lajmin e hidhur: “Dibala është në dyshim për sfidën. Nuk e di nëse do t’ia dalë, pasi ka kryer vetëm seanca me ngarkesë të ulët. Prandaj, nuk di të them nëse do të vijë me ne në stol, do ta nisë titullar, apo mund të mbetet në tribunë. Ajo që unë pres dhe dua është që të bëjmë ndeshjen tonë, të përqendruar në fund të së cilës ose të gëzoj për kualifikimin, ose të shkoj në shtëpi së bashku me lojtarët e mi, por me një kusht, që të jemi të lodhur dhe të trishtuar, por me vetëdijen se dhamë gjithçka.

Një Romë më sulmuese për të përmbysur humbjen 1-0 ndaj Fejnordit? Dëgjoj shumë, edhe pse nuk është se më intereson, por thonë që jemi një skuadër shumë mbrojtëse. Ndërkohë po ju jap vetëm një shifër: Kemi goditur shtyllën 27 herë në këtë sezon, më shumë se kushdo tjetër ndoshta në Europë. Dhe të qenit mbrojtës, ndërsa ke goditur kaq shumë shtylla, më duket shumë kontradiktore.

Si mundet Fejnordi? E kush e di këtë, sepse po të ishte kështu do t’i fitonim të gjitha ndeshjet që kemi. Nuk e di as nëse do të jemi të duruar apo të shfrenuar. Ajo që mua më intereson është që në fund të bëjmë dy gola, të përmbysim humbjen 1-0 në Holandë dhe të kualifikohemi për në gjysmëfinale. Do të ishte një shpërblim i bukur për të gjithë ne, por duhet ta meritojmë duke bërë lojën tonë dhe të jemi më të aftë sesa kundërshtari”, u shpreh dje Zhoze Murinjo.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"