Dibala kërkon gol ndaj Strakoshës në ndeshjen jubilare, ish-portieri i Lacios: Tomas, si Handanoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2019 | 17:47

Dibala kërkon gol ndaj Strakoshës në ndeshjen jubilare, ish-portieri i Lacios: Tomas, si Handanoviç

Paulo Dibala është gati të luaj ndeshjen e 200-të me fanellën e Juventusit, që do të ndeshet sot ndaj Lacios në “Olimpiko” të Romës. 

strakosha penalltia dibala

Numri 10 i kampionëve numëron 199 ndeshje, 85 gola dhe 9 trofe të fituara (4 Kampionate, 3 Kupa Italie dhe 2 Superkupa të Italisë). Aventura e argjentinasit me Juven nisi pikërisht ndaj Lacios në Superkupën e luajtur në Shangai të sezonit 2015- 2016, ku Paulo shënoi edhe një gol. Lacialët janë preja e tij e preferuar ku në total prej 11 ndeshjesh, ai i ka shënuar atyre 10 gola (8 me Juven dhe 2 me Palermon).

Vetëm në kampionat me bardhezinjtë ai ka shënuar 5 gola, ndërsa me Palermon 2. Sot, numri 10 i bardhezinjve mund të rrisë numrin e golave pikërisht në ndeshjen jubilare, ku pritet të ketë një sfidë të vështirë përballë portierit shqiptar, Tomas Strakosha që mbron portën e skuadrës së Lacios.

MARKEXHANI ELOZHE STRAKOSHËS

Portieri i Kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, është duke kaluar një moment mjaft të mirë te skuadra e Lacios, teksa shpeshherë ka qenë vendimtar me pritjet e tij në ndeshjet e Seria Asë.

Gardiani kuqezi do të ketë ditën e sotme një provë të vështirë përballë yjeve të Juventusit, teksa do të tentojë të bëjë një tjetër paraqitje fantastike përballë kampionëve në fuqi, të cilët pas hapit fals në ndeshjen e fundit me Sasuolon, do të kërkojnë të vetëm trepikëshin. Strakosha së fundmi ka marrë një tjetër vlerësim nga një figurë e njohur e portës në Itali. Bëhet fjalë për Luka Markexhanin, i cili është aktivizuar për 10 sezone me fanellën e Lacios.

Në një mbrëmje dedikuar legjendës italiane Dino Xof, Markexhani nuk i ka kursyer elozhet për portierin shqiptar, teksa u shpreh: “Strakosha është i ri dhe bën pritje të mira. Edhe në momentet më të rëndësishme të ndeshjes, unë nuk e kuptoj pse duhet të ketë dyshime në lidhje me të. Unë nga ai do të kërkoja vetëm pak më shumë prezencë në fushë pas 3 vitesh si titullar. Ndonjëherë, pesha e portierit është e madhe dhe duhet të ndihet edhe në lojë. Xof tha pak më parë ka thënë diçka inteligjente. Nëse ai do të ishte portieri i Interit, do të kishte të njëjtat vlerësime si Handanoviç. Kur është e rëndësishme të bësh diçka të rëndësishme, një pritje të bukur dhe të vështirë, Strakosha është gjithmonë aty duke e bërë. Edhe unë mendoj si ai”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"