Di Maria monstruoz, leksione Gjermanisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2014 | 8:10

Di Maria monstruoz, leksione Gjermanisë

Gjermani-Argjentine“Liebe Argentinier, diesen Sieg schenken wir euch gerne – das wichtige Spiel haben sowieso wir gewonnen”! (Të dashur argjentinas, këtë fitore ne ua dhurojmë me kënaqësi. Ndeshjen që kishte rëndësi e fituam gjithsesi ne). Me këtë fjali, “Bild” zhdramatizonte “shkurorëzimin” e Gjermanisë kampione bote nga Argjentina në miqësoren e Dyzeldorfit. Kampionët e Botës e nisin me një humbje 4-2 sezonin e ri. Amerikanojugorët, të privuar nga shërbimet e Mesit, duket se nuk kanë nevojë për kapitenin e tyre për t’u hakmarrë për humbjen në finalen e Rios. Sepse Gerardo Martino ka në skuadër individualitete që nuk stonojnë shumë nga talenti i “pleshtit”. Një Di Maria i shkëlqyer, me 3 asiste dhe një gol, Aguero, Lamela dhe Fernandez kishin një arsye më tepër për të luajtur më fort se kampionët e botës, që shmangën turpërimin falë Shyrrlesm dhe njeriut që i gjunjëzoi në “Marakana” Mario Gëce. E vërtetë, skuadrës së Lëvit i mungonin tetë kampionë bote nga ekipi që mundi Mesin me shokë në Brazil, përfshirë këtu kapitenin Lahm, Klosen, Mertezakerin, Shvajnshtaigerin, Mustafin, Ozilin, Boatengun dhe Sami Khedirën. Ndërkohë që Mats Humels qëndroi në stol. Por në fushë Lëv hodhi 9 kampionë të tjerë bote dhe dy lojtarët që munguan në Brazil, Marko Rojs dhe Mario Gomez. Sulmuesi i Fiorentinës, i cili u rikthye të veshë fanellën e kombëtares pas 385 ditësh, bën një nga ndeshjet e tij më të dobëta, duke shpërdoruar të paktën 3 raste të pastra shënimi, derisa Lëvit i sosi durimi dhe e uli në stol në vend të Gëces.
Spektakël – Ndeshjen spektakolare që nuk e pamë dot në Brazil, e shohim në Gjermani. Rojs shërben për Gomezin në minutën e 7-të, por sulmuesi gabon fatalisht, ndërkohë që për bardhekaltrit rastin e parë e ka dy minuta më vonë Di Maria. Pikërisht blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit anglez do të dhurojë dhe asistin e parë për Agueron, i cili i shpëton qendrës së mbrojtjes gjermane dhe shënon (20′). Magjinë e finalizimit të golit e vjedh asisti me të jashtmen e së majtës së Di Marias. Ndeshja është spektakolare me sulme nga të dyja krahët. Kros ka menjëherë shansin të barazojë, por gjuajtja e “snajperit” përfundon pak centimetra jashtë. Rojs i bën një tjetër dhuratë Gomezit në minutën e 27-të, por sërish i vetëm përballë Romeros, ai bën më të vështirën duke goditur tokazi dhe portieri e ndal me këmbë. E njëjta skenë e shëmtuar për tifozët gjermanë përsëritet edhe në minutën e fundit të pjesës së parë, pasi Lamela kishte shënuar një gol kryevepër me të majtën fluturimthi. Në pjesën e parë Nojer do të ndalte me këmbë Rohon dhe Di Marian.
Shyrrle dhe Gëce – Gerardo Martino nuk ishte në “Marakana” për të ndier atë që përjetoi Sabeja 52 ditë më parë, por lojtarët e tij po: Di Maria shpërbën sërish mbrojtjen me një goditje dënimi, e cila gjen kokën e Fernandezit dhe mbrojtësi mposht sërish Nojerin. Dy minuta më vonë, Di Maria shënon edhe vetë. Është vetëm minuta e 50-të, por ëndrra e amerikano-jugorëve për një goleadë që do ta përdornin më vonë edhe si hakmarrjen e tyre kundër europianëve, merr fund shpejt. Dy minuta më vonë Shyrrle shkurton diferencën nga 5 metra pas një goditje këndi, ndërsa Rojsin e ndal shtylla (76′). Pas 120 sekondash, Gëce, njeriu që i ndëshkoi në “Marakana” në minutën e 113-të, u tregoi në fund se ajo që ndodhi më 13 korrik nuk do ta zhbënte dot një miqësore.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"