Dhunë, seks dhe drogë, rrëfimi unik i Majk Tajson: Jam një djall i larguar nga ferri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2019 | 20:38

Dhunë, seks dhe drogë, rrëfimi unik i Majk Tajson: Jam një djall i larguar nga ferri

Në mesin e viteve 80′, boksi i peshave të rënda njohu një prej emrave më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Majk Tajsonin.

majk tajjson

Një njeri që arriti majat më të larta dhe bëri që e gjithë bota të dashurohej pas mënyrës së tij të të boksuarit. Një përbindësh që nuk kursente asnjë rival, duke i shembur ata në tapet menjëherë sapo startonin duelet. Por më pas për Majkun e hekurt erdhi edhe rënia.

I përfshirë në skandale të shumta me drogën, seksin, sherret pa mbarim, burgun dhe deri te falimentimi financiar. Por çfarë ka mbetur sot nga ajo bishë e disa dekadave më parë. Këtë herë djalli rishfaqet sërish dhe e bën këtë sipas mënyrës së tij.

I ndodhur në akademinë e tenisit “Mouratoglou”, diku ndërmjet Nisës dhe Kanës, Majk Tajson rrëfehet në një intervistë të gjatë për “La gazzetta dello sport”. Ashtu si në të shkuarën, Majk godet sërish shumë fort, por këtë herë e bën me fjalë. I drejtpërdrejtë ashtu siç ka qenë gjithmonë, ai rrëfen gjithçka nga jeta e tij dhe më gjerë.

Majk, e ndoqët Xhoshuan e pamposhtur ndaj Antoni Ruiz? A mund ta quajmë si fillimin e fundit, ashtu sikurse ju ndodhi juve në ndeshjen e 1990-ës ndaj Dagllas në Tokio?

Ai nokaut ishte diçka e mirë për mua. Sigurisht, gabova dhe i bëra të tjerët të kuptojnë se nuk isha më i pathyeshëm. Por nga ana tjetër, më bëri më human dhe më të madh. Të gjithë rivalët donin të ishin si unë. Por të gjithë kemi gabuar në jetë dhe asnjëherë nuk dorëzohemi, por vazhdojmë të luftojmë, të fitojmë e të mësojmë. Si Serena Uilliams, nëse fiton është fantastike, por nëse humbet është si gjithë të tjerat. Kështu është jeta e kampionëve: Vjen moment yt, por më pas froni kalon edhe për të tjerët.

tajsoomm

Furi thotë se Xhoshua tashmë ka marrë fund?

Jo, për mua vazhdon të jetë më i miri. Mjafton të besosh më shumë në vetvete dhe nuk ngrihen më dyshime nëse je mjaftueshëm i zoti. Shikoj veten time te Xhoshua: jo i pathyeshëm, por më shumë human dhe do të kthehet përsëri të jetë më i miri në peshat e rënda.

Si mund të ringrihesh nga një KO?

Duhet të synosh te krenaria. Beso, kërkoje, mendo që Zoti të drejton dhe duhet t’i tregosh vetes se je më i miri. Sigurisht të riprovosh. Ka të bëjë shumë se si ndihesh. Unë mendoj se Xhoshua tashmë ndihet i plagosur dhe nuk ka më asgjë për të humbur. Do të bëhet edhe më i rrezikshëm.

Pas shumë vitesh, ende nuk kemi pasur një pasardhës të vërtetë të Tajsonit. Cili do të jetë ai?

Nuk e di. Tani ka më shumë boksierë dhe më shumë mundësi në krahasim me vitin 1986. Gjithashtu ka më shumë televizione si dhe jemi në kohën e internetit që të krijon më shumë hapësira.

Nëse do të sfidoheshin Muhamed Ali dhe Majk Tajson, kush do të fitonte?

Sot, sipas programeve, mund ta zbulojmë. Teknologjia na lejon që të shfrytëzojmë eksperiencat tona për të përmirësuar e për t’u bërë më i miri. Nëse i ekzaminojmë imazhet dhe eksperiencat, vetëm teknologjia mund të na e tregojë se cili është boksieri më i madh i të gjitha kohërave. Edhe nëse vdes, munden që të spekulojnë mbi karrierën tënde.

tajson

Alvarez, Mejuedhër, Uilder, Ruiz, Furi, cili është i preferuari juaj?

Për mua goditësi më i mirë është ukrainasi Lomaçenko, ndonëse nuk i përket peshave të rënda dhe nuk e njeh asnjë. Por unë vazhdoj të besoj te Xhoshua.

A do të jetë përgjithmonë Majk njeriu më i keq i botës?

Unë mbetem ai që ka ardhur nga një zonë famëkeqe. Të lindësh kështu, të lë shenja të përjetshme. Kam njohur urinë, krimin, drogën, dhe të gjitha këto janë të akumuluara brenda meje. Pyesja veten: “Majk, dëshiron të vdesësh aty, apo të luftosh për t’u larguar nga ai vend?” Kam luftuar gjithnjë me shumë vendosmëri për t’u larguar nga ai vend, pasi s’doja të vdisja aty. Të mbijetosh në një zonë të keqe, bëhesh edhe më i fortë. Kam njohur endacakërinë, urinë dhe drogën. Thoja me vete: “Çfarë do të bësh me jetën tënde, Majk? Dëshiron të vdesësh këtu, apo t’ia mbathësh nga ky ferr?” Të gjithë ata që më kanë njohur kur isha i ri, e kanë parë se si isha: Një kriminel i shëmtuar, i pistë dhe i pasigurt. Por u rebelova.

Po nëse do të rilindnit?

Do të bëhesha sërish boksier.

Fëmijët tuaj, për çfarë ju pyesin nga ajo e shkuar e ashpër?

Nga shtatë fëmijët e mi, më i madhi mund të mendojë që babai i tij është disi i çmendur nëse shikojnë Tajsonin e vjetër. E kështu vazhdoj nganjëherë të bëj të çmendurin. Megjithatë, kam qenë i ri dhe nuk e kuptoja jetën. Isha egocentrik dhe nuk mendoja për të tjerët. Tashmë që jam më i vjetër, e di që nuk është diçka e drejtë. Më është dashur të mësoj në mënyrën më të vështirë se si funksionon jeta.

Ka shumë filma për jetën tuaj, përfshirë këtu edhe atë të veshit që i kafshuat Holifildit në ring. Ku e shikoni më shumë veten?

Nuk më pëlqen t’i shikoj këta filma, mbase pasi aty shfaqet pjesa më e keqe e jetës sime.

Çfarë njeriu është Tajson sot?

Nuk mendoj se njerëzit lindin për të qenë të përulur, por janë të destinuar për të qenë të poshtëruar. Jemi arrogantë dhe nuk e ndihmojmë njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës, evoluojmë dhe pas 20 vitesh do të jetë një botë tjetër. Njerëzit e praktikojnë sportin ndryshe, ushqehen në tjetër mënyrë dhe do të jenë më të vetëdijshëm. Mund të lindë një specie humane më e mirë pas 20-30 vitesh.

Boksi ju ka dhënë apo ju ka marrë më shumë?

Kur ke të bësh me boksin, ke të bësh me moralin. Mendon se gjithçka është e besueshme, e ndershme, e respektueshme, por boksi është mbizotëruar nga korrupsioni. Më ka ndodhur mua, por u ndodh të gjithëve. Tashmë nuk ndihem i përfshirë, pasi jam jashtë asaj bote, sepse nuk më pëlqen të jem ai person që kam qenë më parë.

Nuk mund të flitet për ju, e të mos ketë debate. Tashmë jeni i përfshirë në biznes kanabisi…

Jam në këtë biznes, por nuk e kam prekur kurrë kanabisin e vërtetë. E bëj këtë, pasi dua të ndihmoj ata që vuajnë dhe e përdorin për kura mjekësore. Kam vendosur të hap një fermë në Kaliforni, pasi CBD (kanabidioli) është e ardhmja. Do të jetë kudo, në kafe, në ushqimin tonë, në ushqimin për kafshët dhe do të na bëjë njerëz më të mirë. Kur të vij në Itali, do të kem një mundësi të mirë për të biseduar edhe me Papa Françeskun për këtë gjë.

Pasi e mbështetët presidentin Tramp në fushatën e shkuar elektorale, a do ta bëni sërish?

Ndoshta presidenti nuk ka pamjen e duhur, por po e drejton Amerikën në drejtimin e duhur. Kur ta ketë përfunduar punën e tij, do ta adhurojmë vendin në të cilin jetojmë.

A është boksier miku juaj më i mirë?

Jo, nuk kam miq. Megjithatë, nuk është objektivi im të gjej miq.

Nga shtatë fëmijët tuaj, a merret ndonjëri me boks?

Nuk do t’i lejoja kurrë fëmijët e mi të merreshin me boks. Është i rrezikshëm. Shpeshherë këtë sport e praktikojnë ata që kanë për të mbajtur familjen, ose ata që s’kanë gjë tjetër për të bërë.

Epopeja juaj filloi me 19 ndeshje të fituara me nokaut që në raundin e parë. Çfarë ka mbetur nga ai Tajson?

Kur fitoja mendoja: “Mund të bëj më të mirën time”, por me kalimin e kohës fillon të humbasësh njerëzit që do, flokët dhe ndonjëherë edhe dëshirën për të jetuar. Në fund do të humbasësh gjithmonë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"