Dhuna nuk i ndahet futbollit shqiptar, tifozët tentojnë të godasin lojtarët dhe arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 10, 2020 | 15:34


Dhuna nuk i ndahet futbollit shqiptar, tifozët tentojnë të godasin lojtarët dhe arbitrat

Plas sherri në Kategorinë e Tretë. Ashtu si në fazën e parë, Valbona-Labëria nuk është mbyllur qetë. Java e 11-të është mbyllur mes tensioneve dhe kontestimeve për një gol të anuluar. Trajnerët e të dyja ekipeve janë skuqur, ndërsa në fund ishin labët ata që festuan. Takimi pritej me mjaft interes, pasi janë dy skuadra që kërkojnë ngjitjen në Kategorinë e Dytë. Fillimisht është Labëria që surprizon me Kamberaj. Në të 21- ën pasi ka dalë përballë portës, gjuan shtrirazi dhe shënon.

lojtaret bejne sherr (1)

Më tej Valbona bëhet më kërkuese, por barazimi arrihet me një supergol të Tara në të 55-ën. Loja ndizet, por shtohet dhe nervozizmi në fushë. Labët shënojnë dy herë, por në të 80- ën rrjeta e Sinajt me kokë anulohet nga anësori për pozicion jashtë loje, ndërsa ai i Rukajt në të 97-ën ngjalli shumë polemika me arbitrin jo vetëm për një “off side” të pretenduar, por edhe minutave shtesë.

SI NISI SHERRI – Në minutën e 80-të ka nervozizëm nga pankina labe për anulimin e golit të Sinajt. Trajneri Arlindo Rustemaj merr karton të kuq dhe shoqërohet jashtë nga forcat e sigurisë. Në minutën e 7-të shtesë, shënohet goli i dytë i fitores nga vlonjatët. Rukaj dhe dy lojtarë të tjerë shkojnë pranë anësorit dhe me ironi i thotë: “Anuloje po deshe”. Sikur të mos mjaftonte kjo, në mesfushë ka hyrë dhe Mustaf Hysenaj (trajneri i Valbonës, që proteston ashpër ndaj kryesorit për shtesën). Katër gjyqtarët u shoqëruan nga forcat e sigurisë drejt dhomave të zhveshjes, por aty u kanë dalë në “pritë” disa tifozë, që i shanë dhe tentuan t’i godisnin.

sherri (1)

Sherri ka nisur edhe kur lojtarët e Labërisë kanë shkuar drejt dhomave të zhveshjes dhe disa tifozë kanë tentuar të qëllojnë lojtarët labë. Forcat e sigurisë kanë qenë në gatishmëri, duke i paraprirë ndonjë incidenti dhe nuk kanë lejuar që situata të degjenerojë. Në kohë kanë ardhur edhe forcat e rendit, duke marrë situatën nën kontroll. Kujtojmë se edhe në fazën e parë, kjo ndeshje është mbyllur me sherr, aq sa 3 lojtarë të Labërisë u shoqëruan në Komisariatin nr.5 në Kamzë.

policiaa (1)

NDESHJET E TJERA – Skuadra e Bulqizës është shumë pranë ngjitjes në Kategorinë e Dytë. Kjo, falë dyshes drejtuese Çekiçi-Rrushi, që kanë ndërtuar një ekip solid dhe kanë marrë 10 fitore në 11 ndeshje. Ata edhe pse kanë vuajtur, e mposhtën në shifrat 2-1 Divjakën. Ishte Endrit Kaca që i ka dhuruar këtë trepikësh të rëndësishëm me dopietën e tij, duke zhvlerësuar edhe barazimin e kapitenit Klajdi Qose. Osumi e Pirust kanë dhuruar spektakël e gola. Edhe pse janë dy skuadra pa pretendime, loja ka qenë e nivelit të mirë. Vishkulli, Davidhi, Rizaj e Kërdhicka shënojnë për Osumin e Urës Vajgurore, ndërsa Rando Mesuti dhe Eugen Kaci për ekipin privat nga Mirdita.

ABDULLA DUSHKU




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com