Dhuna në Peqin, zbulohet letra e Shulkut për policinë: Arrestoni agresorin …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 18:54

Dhuna në Peqin, zbulohet letra e Shulkut për policinë: Arrestoni agresorin …

Në muajin dhjetor, në stadiumin e Peqinit ndodhi një akt dhune ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes. Në fushën e lojës, duke kaluar rrethimet anësore, u fut një djalë i cili tentoi të ushtrojë dhunë kundrejt kryesorit të takimit, arbitrit Sokol Bebja.

dalin-pamjet-ja-si-u-dhunua-arbitri-ne-ndeshjen-shkumbini-dinamo-ne-peqin_5df53d57ba32f

Një ngjarje e rëndë, e cila ndodh pak muaj pasi është futur në fuqi ndryshimi i Kodit Penal për rastet e dhunës në aktivitetet sportive. Për këtë, Federata Shqiptare e Futbollit, ka ngritur zërin në mënyrë institucionale.

ilir shulku

Duke qenë se agresori i kësaj ngjarjeje nuk është ndaluar akoma nga Policia e Shtetit, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, i është drejtuar numrit një të uniformave blu me një shkresë zyrtare. Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar ekskluzivisht edhe letrën e dërguar Ardi Veliut, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

 LETRA 

Gazeta ka siguruar edhe dokumentin e dërguar në Policinë e Shtetit. Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, kujton për uniformat blu ngjarjen e datës 14 dhjetor në stadiumin e Peqinit, e cila ka mbetur një ngjarje e dhunshme pa një autor të ndalur. Në letrën drejtuar numrit një të Policisë së Shtetit, FSHF u kujton uniformave blu nenet e ndryshuara në Kodin Penal, të cilat nuk janë vënë në zbatim për ndalimin e agresorit. 

Më poshtëpërmbajtja e letrës: “Në datën 14.12.2019, gjatë zhvillimit të ndeshjes së Kategorisë së Parë, ShkumbiniDinamo, në stadiumin e qytetit të Peqinit, është ushtruar dhunë ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes, z.Sokol Kujtim Bebja. Ngjarja është fiksuar edhe nga kamerat e mediave prezente në stadium si dhe kamerat e sigurisë. Për këtë vepër penale është regjistruar procedimi penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ndaj autorit, shtetasit Dejan Florent Hasbajrami, i datëlindjes 16.07.2003, për veprat penale parashikuar nga nenet 274/a dhe 274/b. Autori nuk është arrestuar, por fillimisht është shpallur në kërkim policor nga DVP Elbasan dhe UP Peqin. 

Megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj nga data e ngjarjes, Policia e Shtetit ende nuk ka marrë masa për shoqërimin dhe arrestimin e autorit. Kjo neglizhencë në moszbatimin e ligjit rrezikon të çojë drejt dështimit qëllimin për të cilin u ndërmorën ndryshimet në Kodin Penal, për aplikimin e neneve 274/a dhe 274/b, që synonin parandalimin e dhunës në mjediset sportive. FSHF kërkon me insistim marrjen e masave nga Policia e Shtetit për arrestimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, që ndikon negativisht në parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen. 

Federata Shqiptare e Futbollit do të përdorë të gjitha mjetet që i lejon ligji, për të denoncuar publikisht dhe parandaluar dhunën dhe aktet e paligjshme, gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive”, citon sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, në letrën e drejtuar ndaj Ardi Veliut, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

lETRA

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"