Dhuna, kapiteni-polic urdhëron arrestime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2015 | 13:23

Dhuna, kapiteni-polic urdhëron arrestime

Kapiteni i Sportingut, Elvis Shkurta, duke marrë ndihmën e parë pasi kishte humbur ndjenjat

Kapiteni i Sportingut, Elvis Shkurta, duke marrë ndihmën e parë pasi kishte humbur ndjenjat

Kapiteni i Sportingut, Elvis Shkurta, ka qenë një prej lojtarëve që ra pre e dhunës së tifozëve të Bulqizës gjatë ndeshjes së djeshme. Ai u godit me grusht nga mbrapa kokës nga një prej sportdashësve, duke rënë në fushë pa ndjenja.

Vetëm pas ndërhyrjes së mjekut Edison Koçi u bë e mundur që kapiteni të përmendej dhe të fitonte vetëdijen pas katër minutash. Pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore, duke qenë edhe me profesion punonjës policie, i ka kërkuar përgjegjësit të patrullës së policisë, e cila ishte e pranishme gjatë ndeshjes, ndalimin e personit që e ka goditur pas koke dhe të dy-tri tifozëve të tjerë që kanë goditur lojtarët e ekipit të tij. Për këtë ngjarje, ai ka shkuar më pas në Komisariatin nr.5 në Kamzë duke bërë kallë- zim penal për vepra që rrezikojnë jetën. Madje, ai ka kërkuar edhe ballafaqimin me atë që e ka goditur.

Pasiguria

Ndeshjet e Kategorisë së Tretë që luhen në kompleksin e rikonstruktuar të Kamzës janë gjithmonë të ekspozuara ndaj ngjarjeve të tilla. Siguria e tyre është thuajse minimale, për të mos thënë inekzistente. Gjatë takimit të djeshëm ishin të pranishëm vetëm dy policë dhe forcat e tjera mbërritën kur ndodhi sherri. Por, deri në atë moment ishte tepër vonë, pasi lojtarët qenë goditur. Ndërkaq, mungon rrethimi i brendshëm i fushës dhe tifozët hyjnë lirisht aty. Dy janë mundësitë në një situatë të tillë, ose të mos futet asnjë tifoz dhe të mbahen jashtë kompleksit, ose të sillen forca të shumta policie për ta mbajtur nën kontroll situatën.

Përgatiti: ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"