Dhjetra tifozë e ndjekin ndeshjen nga ndërtesat e larta, ja pikantet e Bylisi-Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2020 | 15:52

Dhjetra tifozë e ndjekin ndeshjen nga ndërtesat e larta, ja pikantet e Bylisi-Laçi

Bylisi dhe Laçi barazuan ditën e djeshme me rezultatin 1-1, në stadiumin “Adush Muça”. “Panorama Sport” ju sjell më poshtë pikantet nga ndeshja e djeshme:

bylisi

* Mesfushori i Laçit, Klejdi Rapo, ka qenë i pafat në debutimin e tij si titullar në Superiore. Në minutën e 26-të, pas një përplasjeje kokë më kokë me Ndrecën e Bylisit, ai gjakoset dhe nuk e vazhdon dot lojën. Më pas ai shkoi në spitalin e Ballshit për të marrë një ndihmë më të specializuar.

* Organizim perfekt nga ana e klubit të Bylisit përpara fillimit të ndeshjes, ku të gjithë personat që hynin në stadium i janë nënshtruar kontrollit të temperaturës!

* Edhe forcat e sigurisë, në bashkërendim të punës me klubin dhe presidencën vendëse, duke u monitoruar edhe nga delegati i ndeshjes Astrit Maci, kanë zbatuar rregulloren në mënyrën më strikte të mundshme, që numri i të pranishmëve nga të dyja skuadrat të ishte brenda kuotës së përcaktuar nga ana e FSHF-së për një ndeshje pa tifozë. E për pasojë, dhjetëra tifozë të Bylisit e kanë ndjekur ndeshjen nga ndërtesat e larta përqark stadiumit “Adush Muça”.

* Në minutën e 23-të të takimit, në tribunën qendrore pati një shkëmbim replikash midis një tifozi kurbinas, që vazhdimisht mbështeste me udhëzime futbollistët miq, si dhe mbështetësve të Bylisit, të cilët e cilësuan si provokim qëndrimin e tifozit të Laçit. Në mënyrë që situata të mos rëndohej më tej pasi u nxehën gjakrat, është dashur ndërhyrja e presidentit Besnik Kapllanaj, por edhe ajo e ish-kryebashkiakut të Ballshit, Agron Kapllanaj, që situata të qetësohej.

* Autori i golit të Bylisit, Hadroji, e ka lënë fushën e lojës pas përfundimit të pjesës së parë për arsye dëmtimi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"