Dhimbje për Skënder Hykën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2018 | 22:47

Dhimbje për Skënder Hykën!

BUJAR QESJA

Lajm i papritur vdekja e Skënder Hykës. Nuk e dija që ishte sëmurë dhe lëngoi relativisht gjatë. E si mund të sëmurej ky korife i futbollit?! Kam qenë vetëm 16-vjeçar, teksa kisha filluar të stërvitesha me Lokomotivën e drejtuar nga Miço Papadhopulli, kur në Durrës, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1967, vjen Skënder Hyka.

bUJARI

Arsyeja? Zbori ushtarak 6-mujor pas përfundimit të shkollës së lartë. E mbaj mend këtë idhull, këtë personalitet të futbollit, teksa vinte në stërvitje me kapotën e gjatë të ushtarit dhe ikte më pas të flinte në repart. Në Durrës të gjithë e thërrisnin “Hyke” dhe ishte nga futbollistët më popullorë.

Gëzimi i madh i tifozërisë kur erdhi Hyka në Durrës dhe hidhërim po i tillë kur ai u largua nga Lokomotiva. Sulmues i lindur, një futbollist që Zoti e kishte pajisur me një lloj elegance tejet origjinale, një virtuoz i topit, një kalorës që udhëhiqte sulmin dhe nxiste kushtrimin për fitore. Lokomotiva, që në natyrë kishte futbollistë të qetë, disi paqësorë, ndryshoi grintë nga grinta e tiranasit të njohur të topkëmbës. Ner Hyka, një shok e mik i mrekullueshëm, me të folmen tipike origjinale tironase, një zotni i vërtetë i topit, por edhe i shoqërisë, është inkuadruar edhe në historinë e futbollit durrsak.

Ai luajti pak, për të mos u harruar, e kujtuar pse jo edhe tërë kohën edhe në Durrës. Më pas, kur jeta më caktoi të merrem me letrat, kam takuar e nxjerr mall me Ner Hykën. Gjithnjë kur më takonte më thoshte: – E Jaro, ç’kemi nga Durrësi! Dhe më pyeste emër për emër për ata futbollistë që kishte luajtur. I ëmbël, i komunikueshëm, ai ishte dhe mbeti natyra e njeriut që kërkohej nga shoqëria dhe ishte pjesë e domosdoshme e saj.

skender hyka

Prandaj edhe unë, edhe shoqëria, edhe miqtë, edhe të afërmit, qytetaria tiranase, qytetaria durrsake, përlotet për largimin nga jeta të Skënderit tonë të paharruar. Mosha ime tashmë e bën shumë të ndjeshme këtë humbje, të prekshme dhe tejet trishtuese. Jam bërë si i trullosur, duke pëshpëritur tash e më tutje vazhdimisht emrin e tij:

– Eh Skënder Hyka, Skënder Hyka, si na le kështu! Ngushëllimi im dhe me siguri edhe i opinionit qytetar dhe futbolldashës të Durrësit prek në radhë të parë familjen dhe të afërmit e tij dhe më tej shokët dhe miqtë, qytetarët e Tiranës dhe tifozët bardheblu të saj, kolegët e respektuar, Federatën Shqiptare të Futbollit, Klubin e Futbollit të Tiranës, e mjaft të tjerë. Lamtumirë, i miri futbollist dhe njeri Skënder Hyka! I paharruar kujtimi dhe emri yt!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"