Dhimbje koke për trajnerin Shehi, ja sa do të mungojë kryegolashënuesi Shkurtaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2020 | 8:25

Dhimbje koke për trajnerin Shehi, ja sa do të mungojë kryegolashënuesi Shkurtaj

Kukësi ka ndërruar trajnerin për shkak të rezultateve të dobëta në javët e fundit, por dhe Orges Shehit që në debutimin e tij me verilindorët nuk po i ndahen problematikat e skuadrës në lidhje me dëmtimet. Kukësi është realisht pa fat. Nuk po i mungojnë vetëm fitoret në këto 4 javët e fundit, por edhe lojtarët. 

Shehi

Vazhdimisht, ndeshje pas ndeshjeje, i kanë bërë llogaritë pa titullarë të rëndësishëm, gjë që ndodhi edhe të mërkurën ndaj Vllaznisë.

Sikur të mos mjaftonin mungesat e shumta në ndeshjen ndaj shkodranëve (ku Abazaj luajti i dëmtuar, Musolli jashtë për shkak dëmtimi në hundë, sy dhe kokë, e mungesave për shkaqe kartonësh si Rroca e Ethemi), tashmë Kukësi ka vërtet një hall akoma më të madh. Bëhet fjalë për mungesën e as më shumë dhe as më pak, por të autorit të 16 golave te Kukësi, Vasil Shkurtajt. Sulmuesi do të qëndrojë një muaj jashtë. Lajm që ka tronditur ambientin kuksian.

DËMTIMI DHE DIAGNOZA 

Goditjet që lojtari mori gjatë takimit, në afërsi të gjurit, nuk janë pa rrezik. Edhe pse sulmuesi rezistoi për minuta të tëra në atë gjendje, në të 74-ën u zëvendësua. Çalonte, duke dëshmuar se dhimbjet janë prezent. Drejtuesit shpresonin që Shkurtaj të ishte gati që këtë javë, por në të vërtetë lojtari duke ditur atë që ndjeu, një “krak” në gju, mendoi më të keqen.

Shkurtaj

Fillimisht u mendua për këputje të ligamentit të brendshëm, gjë që do t’i rrezikonte sezonin dhe Kupat e Europës. Për fat të mirë, vlonjati ka kryer rezonancën si dhe vizitat e specializuara mjekësore, të cilat kanë nxjerrë si diagnozë se sulmuesi ka pësuar tërheqje të ligamentit të brendshëm të gradës së parë dhe do i duhet të qëndrojë për 3-4 javë jashtë.

Fillimisht, mungesa për këtë periudhë është shoqëruar me dëshpërim të lojtarit dhe drejtuesve, por nga ana tjetër janë gëzuar duke menduar se është shmangur rreziku që i kanosej në rast së do të bëhej fjalë për këputje të ligamentit. Gjithsesi, lojtari dhe mjekët do të bëjnë maksimumin që ai të rikuperohet sa më shpejt, duke tentuar të kapin kohën rekord prej 3 javësh.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"