Dhimbje koke për trajnerin Hasan Lika, dëmtohen dy lojtarë para ndeshjes me Kamzën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2018 | 10:04

Dhimbje koke për trajnerin Hasan Lika, dëmtohen dy lojtarë para ndeshjes me Kamzën

Luftëtari pret Kamzën në shtëpi, pas 10 ndeshjeve radhazi me rezultate pozitive në kampionat, ku ka koleksionuar 6 fitore dhe 4 barazime.

Luftetari

Mirëpo, kur mendohej se gjirokastritët do të ishin të kompletuar në këtë takim, ka ndodhur e kundërta. Sulmuesi kryesor, Vasil Shkurtaj, ka pësuar një dëmtim të lehtë dhe sipas të gjitha gjasave, do të mungojë në takimin e sotëm.

Në vend të tij pritet të kthehet si titullar, elbasanasi Eri Lamçja. Një problem në stërvitjen e fundit ka pasur edhe mesfushori Albano Alkesi, i cili është dëmtuar lehtë, por sipas burimeve në klub, gjasat janë që të sakrifikojë.

shkurtaj

TRAJNERI Hasan Lika beson te fitorja e radhës. Trajneri bluzi u shfaq optimist në konferencën për shtyp, 24 orë para ndeshjes.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Në transfertë, Kamza ka rezultuar skuadër e suksesshme, por kjo s’do të thotë se me ne do të vijojë të jetë e tillë. Si në çdo ndeshje, edhe nesër (sot) do të japim maksimumin. Është e vërtetë që në fushën tonë e kemi pasur të vështirë interpretimin e lojës më të mirë që praktikojmë. Rezultatet maksimale na kanë munguar në shtëpi edhe për arsye të trysnisë së faktorit fushë.”

luftetari kamza

“Megjithatë, këto nuk janë argumente për t’u marrë në konsideratë, ndaj me Kamzën nuk na falet hapi fals. Si kundërshtar potencial, Kamzën e kemi vlerësuar maksimalisht, jo vetëm për pozitat në klasifikim, por për kontingjentin që ka. Fitorja me Kamzën do të thotë një hap më shumë drejt Europës dhe një ndarje përfundimtare nga zona e ftohtë”, është shprehur dje trajneri i Luftëtarit.

Ndërkohë, klubi pret që ndaj Kamzës të ketë një mbështetje më të madhe nga tifozët që, për hir të së vërtetës, kanë munguar në takimet e fundit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"