Dha spektakël me Mbape e Kavanin, por Nejmar paralajmëron: Jemi ende në fillim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2017 | 11:51

Dha spektakël me Mbape e Kavanin, por Nejmar paralajmëron: Jemi ende në fillim

Fitorja 5-0 në fushën e Sëlltikut tregoi se sa mirë funksionon treshja sulmuese e PSG-së e përbërë nga Nejmar, Mbape dhe Kavani, të cilët gjetën rrjetën në këtë duel dhe dhanë spektakël në fushë. Por vetë Nejmar mendon se ky është vetëm fillimi, pasi lojtarët kanë pak kohë që luajnë së bashku dhe nuk njohin mirë njëri-tjetrin.

Mbape Nejmar dhe Kavani

“Janë dy futbollistë të mëdhenj. Po njohim ende njëri-tjetrin. Kavani është një futbollist i shkëlqyer, Kilian është një talent. Kemi ende punë për të bërë, ata dhe unë, që të njohim më mirë njëri-tjetrin. Është e lehtë të luash përkrah lojtarësh inteligjentë, por na mungon ende sintonia”, tha ai në një intervistë për UEFA-n.

I ngacmuar se si ishte mirëkuptimi në krahasim me Mesin e Suarez, Nejmar pranoi se për momentin nuk mund të bëheshin krahasime me periudhën e artë kur luante për katalanasit dhe dominonin futbollin europian. “Mungon ende shumë që ne të merremi vesh vetëm më shikim apo me lëvizje”, tha ai.

Nejmar

Por sipas tij, PSG nuk ka vetëm tre lojtarë në repartin e avancuar, por shumë më tepër alternativa, me të cilat do të synojë fitoren e Ligës së Kampioneve, duke dhuruar një tjetër provë force në duelin e radhës, ndaj Bajern Mynih.

“Ne nuk kemi vetëm Kavani apo Kilian, kemi edhe Draksler, Lukas, Di Maria që është i dëmtuar. Kemi lojtarë të mëdhenj dhe është e vështirë që të zgjedhësh tre me të cilët të luash. Por kjo është një skuadër, turneu është i gjatë dhe duhet të jemi të gjithë bashkë që të fitojmë.

Nejmar dhe Mbape

Të fillosh duke fituar është gjithmonë e rëndësishme. Bëmë një ndeshje të madhe dhe jemi shumë të lumtur për këtë rezultat jashtë fushe. Objektivi ynë është Bajerni, një ndeshje e vështirë, por ne duam të sigurojmë tre pikët para tifozëve tanë”, theksoi Nejmar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"