Dezinfektim dhe anulim të stërvitjes te Apolonia, Mërgjyshi pas ndeshjes me Bylisin: Nuk kemi nevojë për tamponë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2020 | 12:07

Dezinfektim dhe anulim të stërvitjes te Apolonia, Mërgjyshi pas ndeshjes me Bylisin: Nuk kemi nevojë për tamponë

Situatë e qetë te fierakët, totalisht nën kontroll dhe pa asnjë panik. Lajmi se një futbollist i Bylisit rezultoi i prekur nga Koronavirusi ka hedhur edhe hijet e frikës se mos ndoshta edhe ndonjë lojtar i Apolonisë mund të jetë prekur nga “COVID-19”. Arsyeja? Sepse Apolonia të shtunën që lamë pas, luajti ndeshje miqësore me Bylisin dhe Qardaku, lojtari i rezultuar pozitiv, ishte në fushë, madje një nga më të spikaturit në lojë për mallakastriotët.
Apolonia-Bylis miqesorja logo
Nga ana e drejtuesve të klubit fierak nuk kanë dashur të prononcohen për këtë rast, por thjesht kanë sqaruar për “Panorama Sport” se me lojtarët e Bylisit ka pasur vetëm kontakte në fushë. Nga ana tjetër, klubi fierak i ka respektuar në mënyrën më fanatike masat e sigurisë shëndetësore, duke dezinfektuar të gjitha ambientet, para dhe pas miqësores me Bylisin, pa harruar që stafi mjekësor i klubit e ka ndjekur në mënyrë rigoroze dhe permanente gjendjen shëndetësore të çdo lojtari, duke nisur që nga matja e temperaturës. Fierakët janë stërvitur vetëm në paraditen e djeshme normalisht, ndërsa pasdite edhe pse kishin programuar një seancë, e kanë anuluar atë, ndoshta edhe prej situatës së krijuar së fundmi. Gjithsesi, në vijim do të zbardhet tërësisht dinamika e rastit, për të qetësuar në këtë mënyrë një herë e mirë edhe skuadrën fierake.
Artan Mergjyshi, trajneri i Beses ne ndeshjen ndaj Lacit
Trajneri – I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, theksoi se në skuadrën e tij nuk ka asnjë panik. “Të jem i sinqertë, nuk jemi në panik. Është bërë edhe dezinfektimi pas ndeshjes me Bylisin. Në çdo dhomë kemi marrë masa. Edhe sot (dje) paradite stërvitja shkoi normalisht. Tamponët? Ndoshta nuk është e nevojshme, por do të presim se cila është përgjigjja pas testimit që iu bë lojtarëve të Bylisit”, ka thënë Mërgjyshi.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"