Devolli barazon në miqësore me Skënderbeun U-19, Albpetroli firmos me ish-sulmuesin e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 18:33

Devolli barazon në miqësore me Skënderbeun U-19, Albpetroli firmos me ish-sulmuesin e Bylisit

GRAMOZI

Kolonjarët, në pritje të fillimit të kampionatit, vazhdojnë përgatitjet në ambientet e aneksit të stadiumit. Grupi vijon të mbetet po ai, edhe gjatë këtyre ditëve. Mbrojtësi Eni Mydini, në një prononcim për “Panorama Sport”, thotë: “Presim me padurim fillimin e kampionatit, pasi përgatitjet tashmë i kemi bërë dhe jemi gati. Na duhet shumë punë. Nuk duhet të bëjmë gabimet e sezonit të kaluar për të mos zhgënjyer tifozët tanë, të cilët nuk na kanë lënë asnjëherë në baltë si në takimet brenda dhe jashtë, edhe pse rezultatet kanë qenë të dobëta. Shpresoj që kampionati të mos shtyhet më shumë”, deklaroi Mydini. /Koço Lilo/

Gramozi

DEVOLLI

Ekipi i Devollit zhvilloi në fundjavë takimin e katërt testues me ekipin Skënderbeu U-19 që përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Devollinjtë shënuan me anë të Trenit dhe e mbyllën me fitore pjesën e parë. Në të dytën, tekniku Mema aktivizoi formacionin e dytë dhe të rinjtë e Skënderbeut i morën në dorë frenat e lojës dhe arritën të barazojnë. Më shumë se rezultati, tekniku Mema hodhi një ide më të qartë për të gjithë futbollistët që kishte në dispozicion. Sytë dhe veshët janë në pritje të kalendarit të kësaj kategorie, për të parë kundërshtarët e parë në takimet e radhës. Skuadra ka synime të qarta për t’u ngjitur në të Parën. /Thanas Çeva/

ALBPETROLI

Skuadra e Albpetrolit ka hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve për të startuar sa më mirë për sezonin e ri. Patosarakët kanë ndërtuar një ekip me një projekt me vizion të qartë për të qenë pretendent këtë sezon të ri. Ekipit i është bashkuar edhe sulmuesi fierak Gëzim Hyska, i ardhur ekipi i Bylisit. “I jam mirënjohës ekipit të Bylisit që më lejoi të kaloj tek Albpetroli. Jam i lumtur që kam ardhur këtu. Ofertat nga Kategoria e Parë nuk më munguan, por duke parë projektin e Albpetrolit vendosa të kontribuoj për këtë ekip. Do të bëj të pamundurën për të ndihmuar ekipin të ngjitet në Kategorinë e Parë”, ka thënë Hyska. /Amarildo Gropa/

bylis

SPARTAKU

Spartaku do të jetë skuadra më e re dhe debutuese e Kategorisë së Dytë. Artan Vangjeli dhe Telman Përleka janë dy trajnerë që do të drejtojnë ekipin me objektivin që të mos e diskutojnë mbijetesën. Trajneri Vangjeli thotë: “Do të prezantojmë një skuadër vlerash, e cila nuk do ta ketë problem mbijetesën, ashtu sikurse nuk do të kemi pretendime për t’u ngjitur më lart. Këtë sezon mendojmë që të konsolidojmë grupin dhe, më pas, në sezonet e tjera do të jemi i vetmi ekip që do të furnizohemi me lojtarë nga ekipet tona zinxhir. Ne funksionojmë si një klub, pasi kemi të gjitha grupmoshat U-11, 13, 15, 17, 19”. /Abdulla Dushku/

VELEÇIKU

Ekipi i Veleçikut zhvilloi takimin e dytë miqësor me Akademinë e Ajaksit të Shkodrës. Sfida përfundoi 2-2, ku koplikasit bënë një paraqitje të mirë. Trajneri Besnik Duli aktivizoi pothuajse të gjithë futbollistët që po stërviten te Veleçiku. Në këtë takim ra në sy loja e Arsen Banushajt, i cili shënoi një gol. U paraqitën mirë edhe sulmuesi Denis Çokaj, si dhe Ujka, Osmani, Trashani, Popaj, Zmijani e të tjerë. Në fund të takimit, presidenti i Veleçikut, Shpëtim Halaj, tha se skuadra e bindi në këtë ndeshje miqësore. Në vazhdim, skuadra do të luajë edhe ndeshje të tjera miqësore. /Esat Ymeri/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"