Detajet që s’u panë në Tv, nga tel për Ministrin te batutat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2016 | 19:54

Detajet që s’u panë në Tv, nga tel për Ministrin te batutat

Mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit ka sjellë ftohtësi përpara fillimit të takimit (Skënderbeu – Kukësi 3-1). Megjithatë, heshtja mundësonte që lojtarët të dëgjonin saktë atë që trajnerët kërkonin nga ata.

Presidenti i Kukesit Safet Gjici, ai i Skenderbeut Artan Take, deputeti i PD Ridvan Bode dhe Agim Zeqo, gjate ndeshjes se futbollit, Skenderbeu-Kukesi, 1-3, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Skenderbeu, ne Korce.

Presidentët

Ndeshja jashtë fushe filloi që më herët se ora 13:00. Presidentët dhe delagacioni i dy ekipeve është takuar një orë përpara startit, ku nuk kanë munguar batutat dhe shakatë.

Ka mjaftuar vetëm një koment i shkurtër i rektorit Mero, që ka parashikuar fitoren e Skënderbeut për të “ndezur” motorët e presidentit Gjici. “Është shpejt për titullin profesor, – ka theksuar Gjici, – unë u lodha me vendin e dytë dhe këtë vit do të kërkoj kampionatin”, ishin fjalët e presidentit të Kukësit.

Sfida

Ndeshja ka filluar me 6 minuta vonesë, pasi delegati i ndeshjes, Uvil Zajmi, ka kërkuar që tribuna të boshatisej dhe të mbeteshin vetëm 30 njerëz, ashtu sikundër e përcakton rregullorja. Pas këtij vendimi, një pjesë e tifozëve është larguar dhe delegatit i është bërë me dije se pjesa më e madhe e të pranishmëve ishin lojtarët e dy ekipeve.

Megjithatë, Zajmi ka qenë i vendosur duke iu drejtuar drejtorit të klubit, Përmeti: “Ose të mbeten 30 persona në tribunë, ose nuk e filloj takimin”. Takimi ka filluar vetëm pasi ky kusht është plotësuar.

Policia

Të përfshirë në këtë debat në fillim të takimit kanë qenë dhe uniformat blu. Për shkak të tensionit, ata në disa raste u kanë kërkuar të dilnin nga stadiumi edhe gazetarëve e zyrtarëve të klubit.

Megjithatë, ky “alarmim” i forcave të rendit ka ardhur pas paralajmërimit që ka bërë shefi i policisë që ndodhej poshtë në pistë. “Ose largoni ata që nuk duhet të hyjnë në tribunë, ose do t’i telefonoj urgjent ministrit”, ishte fraza që detyroi uniformat blu të qëndronin vigjilentë gjatë 90 minutave, madje duke mbajtur edhe dorezën e derës me dorë, me qëllim që askush nga brenda të mos e hapte për të dalë në tribunë.

Trajnerët

Qoftë Josa, por edhe Duro ishin tepër të kujdesshëm në çdo detaj gjatë gjithë lojës. Tekniku i Skënderbeut që në fillim të takimit ka kërkuar vëmendje nga Radasi dhe Jashanica.

Ndërsa Duro, nga ana tjetër, gjithmonë ka shoqëruar me udhëzime vendosjen në fushë të brazilianit Flores dhe Kariokës.

Ajo çka binte në sy ishte fakti që Josa gjithmonë i udhëzonte lojtarët e vet për pas shpinën, ndërsa Duro shpesh merrej edhe me gjykimin e arbitrit, duke i kundërshtuar hapur vendimet e kryesorit Alla.

Ndërsa një gjuajtje e topit nga Josa solli duartroktitje në tribunë, duke “e detyruar” teknikun të buzëqeshte për pak momente dhe më pas menjëherë u kthye serioz, duke i thënë Nimagës: “Mbaj pozicionin tënd o dreq, jo aq përpara!”.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"