Dështon krijimi i Flamurtarit B, Idrizi: Lojtarët nuk vijnë, kanë mbetur rrugëve. Do shkrij akademinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 15:55

Dështon krijimi i Flamurtarit B, Idrizi: Lojtarët nuk vijnë, kanë mbetur rrugëve. Do shkrij akademinë

Flamurtari B dështoi edhe këtë vit. Edhe pse klubi vendosi në dispozicion të ekipit të dytë një buxhet të konsiderueshëm, plot 200 mijë euro, ai nuk mundi të ngrihej për shkak se nuk pati interes nga lojtarët. Lojtarët do të trajtoheshin ashtu si ata të ekipit të parë, me rrogë, premio, ushqim dhe dieta. Për çdo fitore, ata do të kishin edhe 100 mijë lekë premio.

Idrizi dhe Duro

Për ngritjen e Flamurtarit B, klubi ngriti vitin e kaluar edhe një komision. Faza e seleksionimeve zgjati për gati një javë, ndërsa pati një pjesëmarrje të madhe nga futbollistët e moshave të Flamurtarit, por edhe nga Orikumi. Në përbërje të komisionit kanë qenë ish-trajneri Gugash Magani dhe ish-trajneri i të rinjve Gentian Mezani, por dhe disa specialistë të klubit.

Mirëpo, çudia ishte kur, edhe pse pranuan që të bëheshin lojtarë të ekipit të dytë, një pjesë e tyre u rebelua dhe nuk pranoi. Asokohe ishte administratori Idrizi ai që dialogoi me lojtarët për t’u bërë pjesë e Flamurtarit B, por ata nuk pranuan. Por, historia përsëritet edhe këtë vit.

IDRIZI

Edhe këtë vit, klubi ngriti një grup pune për ndërtimin e Flamurtarit B. Por, asnjë lojtar nuk pranoi që të bëhej pjesë e tij. Ky fakt është evidentuar me shqetësim dje për “Panorama Sport” edhe nga administratori Sinan Idrizi.

“Ngritjen e Flamurtarit B e tentuam ta bënim edhe vjet, por na u larguan të gjithë lojtarët. Ata që ikën nga unë e humbën futbollin, i humbën të gjitha. Dua të them se janë të padurueshëm prindërit, motrat, hallat dhe tezet. I duan futbollistë për tri sekonda. Tani ata që ikën nga mua, po rrinë pa luajtur, rrugëve të Shqipërisë.

Nëse nuk janë tek unë, fshihen nga lista e futbollit. Nisëm ta ngrinim edhe këtë vit, por nuk kam lojtarë. Nuk kam ku t’i gjej, nuk vijnë. Ata do të ishin të barabartë në trajtim njësoj si lojtarët e ekipit të parë, do të përfitonin pagesa, premio dhe trajtim ushqimor. Do të përgatiteshin edhe për ekipin e parë, por nuk erdhën. Tani na mbetet të menaxhojmë 19-vjeçarët që kemi”, tha Idrizi.

AKADEMIA

Administratori Sinan Idrizi paralajmëron shkrirje të Akademisë së Flamurtarit. Idrizi e cilëson inekzistente këtë strukturë, ndërsa thotë se do të bëjë investime në infrastrukturën e saj.

“Akademinë e Flamurtarit do ta shkrij. Këtë vit, sulmi im, është akademia. Nuk ka as strukturë dhe as infrastrukturë. Ai në fushën e Pyllit të Sodës është ambient kafshësh, qelbet dynjaja kur vete aty, nuk ka as dhoma zhveshjeje e as dushe. Do të shikoni një akademi model dhe do të përqendrohemi në nxjerrjen e talenteve të reja, ashtu siç e ka pasur traditë Vlora, pasi prej vitesh nuk po nxjerrim dot talente”, theksoi Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"