Dështimi “Ronaldo”, Juventusi mendon revolucionin në ekip/ Veteranët do hapin krahun, nevojitet një… “Pirlo”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2021 | 23:13

Dështimi “Ronaldo”, Juventusi mendon revolucionin në ekip/ Veteranët do hapin krahun, nevojitet një… “Pirlo”

Është vërtet Championsi kaq i mallkuar për Juventusin? E vështirë ta pranosh këtë, ndonëse nga hera e fundit që trofeu ka qarkulluar në rrugët e Torinos ka qenë 25 vite më parë. Faktet thonë se klubi bardhezi, i cili në tri sezonet e fundit ka parë 3 trajnerë të ndryshëm në stol ka provuar të ndryshojë stil, duke kërkuar një futboll më modern, më ofensiv për të arritur nivelin që kërkon ky kompeticion.

ronaldo.juve.2020.21.disperato.750x450

Madje, duke bërë edhe një xhiro shpenzimesh dhe pagash marramendëse, duke nisur nga njeriu simbol i këtyre tri sezoneve të fundit: Kristiano Ronaldo. Portugezi është vërtet një rekordmen, një lojtar që nga ana e marketingut di të sjellë miliona edhe në pandemi, por kur mendon se në këto 3 sezone ka mundur të tërheqë Juven maksimumi deri në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, kjo nuk mjafton.

Nuk mjafton sepse vërtet Ronaldo i vetëm nuk mund të bëjë shumë gjëra, por kur mendon se paguhesh 31 milionë euro në vit (93 milionë si rrogë në tri vite dhe pa llogaritur taksat) dhe kartoni i tij ndonëse në moshën 33- vjeçare u ble 115 milionë euro, pa dyshim që pritet shumë më shumë.

Fundja, kundër Portos, Juventusi po fitonte 2-1 kur kishte mbetur ende gjysmë ore lojë nga koha e rregullt, por fakti që në shumë raste më tepër sesa të mendonte për skuadrën kërkoi të kënaqë egon personale dhe nuk bëri diferencën pikërisht në ato momente kur kërkohej, për më shumë përballë një rivali në inferioritet numerik, pa dyshim që është normale që edhe ndaj tij gjyqi të hapet dhe të jetë i drejtë madje.

Prandaj, ndoshta edhe për kampionin portugez ka ardhur ora që të hapë krahun, ashtu sikurse për disa veteranë të tjera në Torino, me Juventusin që ndoshta këtë verë më shumë se kurrë ka nevojë për një revolucion, por revolucion që të sjellë sidomos freski dhe cilësi, duke nisur nga një bazë e fortë që ekziston sot e kësaj dite në Torino.

PLANI I VERES

BAZA E FORTË

Duke qenë se në shënjestër është vënë Ronaldo, për sa i përket boshtit të sulmit aty siguritë janë dy: Federiko Kieza, autor i dopietës me Porton dhe lider i këtij Juventusi deri në këtë pjesë të sezonit,  plus Alvaro Morata, i vetmi lojtar që në repartin ofensiv ofron thellësi, por edhe gola dhe mbi të gjitha nuk vë egon personale përpara skuadrës.

Ata që duhet të largohen janë Ronaldo, jo sepse cilësitë e tij mund të hidhen poshtë, por fakti që nuk po arrin të shpërblejë pagën prej 31 milionë eurosh, shpenzime të tilla në momentin e një krize globale janë të papërballueshme.

Një tjetër pikëpyetje është Paulo Dibala, i cili ka munguar thuajse gjatë të gjithë sezonit, por për momentin do të kuptohet nëse është ai lojtari i duhur për t’u konfirmuar si shpatulla të Moratës e Kiezës, apo për ta larguar ashtu si Ronaldon dhe për të investuar te dy goleadorë si argjentinasi i PSG-së, Mauro Ikardi, apo edhe te holandezi i Lionit, Memfis Depai, pa harruar këtu edhe një rikthim të mundshëm të Mois Ken, që po tregon se është ndoshta gati për të mbajtur peshën e Juventusit.

Pirlo Juve

DUHET NJË “PIRLO”

Por, nëse për sulmin mundësitë alternativat e rëndësishme nuk mungojnë në qarkullim, duket se problemi më i madh i kësaj Juveje është mesfusha. Trajnerit Andrea Pirlo i akuzohet fakti që skuadra e tij nuk ka fantazi dhe shpejtësi në shpërndarjen e topit, sepse i mungon pikërisht një… Pirlo. Ndaj, edhe në këtë repart pritet një revolucion, ndonëse jo total. Artur ka treguar se po hyn në mekanizma, ndërsa MeKeni, Kulusevski dhe Bentankur janë e ardhmja.

Ata që duhet të hapin krahun janë pa dyshim Aron Ramsej dhe Adrien Rabio, dy lojtarët që pas Ronaldos e De Ligtit paguhen më shumë se kushdo tjetër, por në asnjë moment nuk kanë arritur të shpërblejnë 9 milionë eurot sezonale që fiton secili (rrogë neto prej 7 milionësh, plus 2 bonuse). Në vend të tyre thamë që nevojitet një “Pirlo”, ndonëse është e vështirë që të riprodhosh si futbollist trajnerin aktual.

JUVENTUSI

Gjithsesi, dy figura që realisht mund t’i bëjnë punë Juves janë Tomas Lokateli i Sasuolos, por edhe Husem Auar i Lionit. Të dy këta janë lojtarë ndërtues, lojtarë vertikalë dhe shumë klas, për të cilët do të mjaftonin respektivisht 30 dhe 50 milionë euro, para këto që pse jo mund t’i sillnin shitjet e Ramsejt dhe Rabiosë, por edhe Ronaldo, për të cilin edhe sot e kësaj dite Mançester Junajtid është gati të paguajë deri në 60 milionë euro, për ta kthyer në “Old Trafford”. Shkurt, dritë dhe shpresë ka, nëse drejtuesit bardhezi do ta kenë guximin ta largojnë portugezin.

VETERANËT TË IKIN

Në fund, por jo më e parëndësishmja mbrojtja. Tani nisim nga luksi që Juventusi ka me dy lojtarë shumë të rinj si Demiral e De Ligt, por edhe gjigantin rumun Dragusin, që duhet të jenë titullarët e së ardhmes, shtuar këtu edhe Bonuçin, që mund të japë ende 2-3 vite të tjera. Madje, edhe korsia e djathtë është e blinduar me Kuadradon e Danilon, por ajo që duhet të ndryshojë është korsia e majtë, por ndoshta edhe lamtumira e një veterani si Kielini.

Kapiteni vërtet është një shtyllë, por duke lënë mënjanë problemet fizike, ndoshta prezenca e tij në grup shpesh herë ka shkaktuar më shumë telashe sesa zgjidhje, duke qenë se rrotacioni ndonjëherë ka qenë mjaft i shpeshtë nga trajneri, vetëm për t’i dhënë mundësi Kielinit të luajë. Që një repart të funksionojë dhe dy të rinj si Demiral e De Ligt të rriten, sekreti është vazhdimësia e të luajturit sa më shumë.

Ndaj, Kielini bën mirë që të hapë krahun, por edhe Sandro në korsinë e majtë duket një lojtar për t’u ricikluar. Në këtë korsi ideja e Pirlos është që të përshtatë një mesfushor ofensiv si Bernardeski, eksperiment që ka nisur, ndonëse mos harrojmë se Juventusi lojtarë të huazuar nëpër Itali në këtë rol si Luka Pelegrini. Prandaj, ndoshta të gjitha këto ndryshime duhet të nisin të studiohen, por edhe të punohet përpara kohe për të mos dështuar në ato objektiva e lojtarë që duhet të zëvendësojnë ata që duhet të hapin krahun në Torino…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"