Dështimi, rënia e perandorisë së Mylerit te “Pancerat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 22:11

Dështimi, rënia e perandorisë së Mylerit te “Pancerat”

Përfundimi i takimit mes përfaqësueses gjermane dhe asaj angleze nuk solli vetëm 6 gola dhe emocione, por edhe një humbës të madh, Tomas Myler.

https___therealchamps.com_wp-content_uploads_getty-images_2017_07_1427586063

33-vjeçari i bavarezëve duket se po lundron në metrat e fundit me kombëtaren e “Pancerave”, aty ku ndaj “Tre Luanëve”, iu rezervuan vetëm 19 minuta lojë, (përfshirë 7 minutat shtesë). Askush nuk mund ta imagjinonte se përvoja dhe kualiteti i veteranit në fjalë do të shkonin në këtë gradë.

SHKAKU- Xhamal Musiala ishte lojtari i përzgjedhur nga Hansi Flik në 11-shen startuese ndaj “shpikësve” të futbollit. Performanca e 19- vjeçarit do të impononte gjithë vëmendjen e projektorëve, edhe pse ndeshja përveç prestigjit nuk kishte asnjë objektiv konkret për të dyja palët. Ai fitoi penalltinë e golit të parë dhe ishte aktori kryesor në aksionin e golit të dytë për të besuarit e Flikut.

STATISTIKAT- Tomasi ka zhvilluar 13 ndeshje gjithsej në këtë sezon, përfshirë takimet në Bundesligë, Superkupë, Kupë, Champions dhe ndeshjet me përfaqësuesen gjermane. Sfida e fundit ku lojtari në fjalë ka shijuar nuhatjen e golit daton në 14 gusht, konkretisht në javën e dytë të kampionatit ndaj Volfsburgut. Kanë kaluar 10 ndeshje thatësirë, përfshirë të gjitha kompeticionet e lartpërmendura, e konvertuar në 782 minuta pa shënuar, (përfshirë edhe minutat shtesë pas kohës së rregullt).

DEKLARATA- “Trajneri është vendimmarrës, puna e lojtarëve është të japin më të mirën në fushë për aq kohë sa ata luajnë”, ishin fjalët ndër buzë të shprehura nga “plakushi” gjerman, Tomas, pas replikës së gazetarëve se si e përjetoi vendimin e trajnerit për ta lënë në stol.

BOTËRORI- Na ndajnë më pak se dy muaj nga fillimi i kompeticionit më elitar, Kupa e Botës, dhe çdo lojtar kërkon të shfaqë anën më të mirë në aspektin futbollistik, me qëllim përzgjedhjen në listën e trajnerëve të përfaqësueseve të përfshira në të.

Rendimenti i Mylerit nuk mund të vihej në diskutim para një muaji, ndërsa forma aktuale ka krijuar shumë dyshime në përzgjedhjen e tij, më e vështirë akoma kur flitet për një vend titullari në formacionin bazë. Sfidat e ardhshme me Bajernin mund të jenë përcaktuese mbi vendimet dhe idetë e Hansit rreth Tomas Mylerit për rrugëtimin në Katar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"