Dështimi në Champions, gati revolucioni te Reali. Ja lojtarët që sakrifikohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2021 | 14:20

Dështimi në Champions, gati revolucioni te Reali. Ja lojtarët që sakrifikohen

Florentino Perez e ka pranuar publikisht se Reali i Madridit ka nevojë për ndryshim. Ajo që ndodhi në gjysmëfinalen e Champions-it, e konfirmoi diçka të tillë. Vendimi është marrë prej kohësh dhe puna do të nisë kur të përfundojë sezoni aktual më 23 maj. Nuk ka rëndësi nëse Reali do të fitojë apo jo titullin kampion në La Liga, ndryshimi do të vijë patjetër. TRAJNERI – Fillimisht, duhet të mbarojë kampionatin spanjoll dhe pastaj të bëhen të gjitha bilancet. Gjithçka do të fillojë nga stoli. Presidenti dhe trajneri, pra Perez dhe Zidan, kanë folur me njëri-tjetrin. Fjalën e fundit e ka trajneri, por klubi është duke studiuar alternativa për një trajner të ri. Është logjike dhe e nevojshme. Raul Gonzalez është pasardhësi më natyral i Zidanit dhe ditë pas dite po fiton terren.

Reali festa

Merkatoja ofron alternativa si Alegri apo Lëv, sepse të tjerat si Poçetino, Nagelsman apo Murinjo, tashmë kanë skuadra të reja. Nga tribuna “VIP” e “Bernabeu”-t e kanë kuptuar që është momenti për të bërë ndryshime. Kjo gjë nuk do të ndodhë prej eliminimit kundër Çelsit, por për sinjalet që ky grup ka dhënë gjatë gjithë sezonit. Madje, Reali duhet përgëzuar që arriti deri në këtë pikë duke qenë në lojë si në Champions, ashtu edhe në La Liga. Diskutimi është që lojtarët madrilenë, të cilët kanë bërë histori dhe kanë shkruar faqe të arta për klubin, tashmë janë të vjetër dhe pesha e moshës ka filluar të ndihet. Askush nuk e mohon që kanë bërë sforco të madhe për të arritur deri këtu dhe për të luftuar për La Ligën, kur kanë mbetur 4 javë nga fundi. Akumulimi i minutave ka qenë një problem i madh dhe 58 dëmtimet gjithashtu nuk e ndihmuan aspak Zidanin.

TË HUAZUARIT – Kur të përfundojë sezoni futbollistik, në Madrid do të rikthehen Bejl, Joviç, Brahim Diaz, Sebajos, Odegard, Kubo dhe Reinier. Të gjithë kanë kontratë me klubin, por vetëm norvegjezi Odegard e ka vendin të sigurt. Kubo dhe Reinier do të vazhdojnë të huazohen për të fituar eksperiencë për të ardhmen.

LARGIMET – Me Modriçin që ka rinovuar për një sezon dhe Vaskezin e Ramosin që janë ende në ajër, ka lojtarë që do të dalin në merkato. Hazard, Marselo dhe Isko nuk janë më pjesë e planeve të klubit. Sigurisht që largimet e tyre nuk janë aspak të lehta, për faktin që kontratat janë të kënaqshme dhe me rroga të larta. Sulmuesi belg është ai që ka zhgënjyer më shumë në fushën e lojës, për t’i lënë mënjanë buzëqeshjet pas eliminimit të Realit.

lista

AFRIMET – Plani për të ringritur skuadrën varet nga një lojtar i rëndësishëm, si Kilië Mbape. Ai është favoriti për t’u transferuar dhe ëndërron që të veshë fanellën e Realit. Nga ana tjetër, Alaba ka firmosur me klubin spanjoll. Për në rastin e Halandit situata është ndryshe. Dortmundi po bën presion dhe kërkon 150 milionë euro për ta lënë të lirë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"