Dështimi në Botëror, Lahm shkund Gjermaninë: Mos na turpëroni në “EURO 2024”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 10:40

Dështimi në Botëror, Lahm shkund Gjermaninë: Mos na turpëroni në “EURO 2024”

Turpërimi ndaj të tjerëve duket se ka marrë trajtën e një bumerangu te kampi i përfaqësueses gjermane, aty ku shumë ekipe rivale luteshin për një humbje sa më pak të dhimbshme, tashmë janë këta të fundit, të cilët kanë ndryshuar role në arenën e futbollit botëror. Filip Lahm e ka përshkruar aventurën e fundit të “Pancerave” si katastrofë dhe ka dashur t’i shkundë përpara “Euro 2024”, e cila do të mbahet në Gjermani dhe vazhdimi i trendit negativ do të ishte më tepër sesa poshtërim për ta, aq më pak përpara tifozërisë së vet:

LAHM

“Katastrofë, termi më i duhur për të përkufizuar paraqitjen e djemve tanë në Kupën e Botës. Mungesa e përqendrimit dhe objektivat nuk vëreheshin për asnjë moment në sytë e tyre. Gjermania gjithmonë ka dhënë më të mirën, edhe kur brezat nuk ka qenë më të mirët, por kjo e fundit na çuditi. Paraqitje të tilla janë të papranueshme dhe reflektimi do të rezultonte zgjidhja më e mirë”, pohonte mes dyshimesh Filip.

Përpara startimit të kompeticionit në fjalë, ish-mbrojtësi i Bajernit kishte shprehur se gjysmëfinalja do të ishte shkalla më e lartë për ta, përveç zhgënjimit, ai si ambasador i “Euro 2024” nuk dëshiron që edhe në të të rishikohen skena poshtërimi, aq më pak përpara tifozërisë së tyre:

“Na ndajnë edhe 18 muaj nga fillimi i kampionatit Europian, ku do të jemi ne pikërisht mikpritësit. Do të rezultonte e pafalshme vazhdimi i serisë negative në turnetë madhorë.

Tifozët Gjermanë meritojnë të vlerësohen, mbi bazë të traditës në këtë sport dhe imazhi më i mirë do të vinte nëpërmjet paraqitjes dinjitoze”, përfundoi ambasadori i “Euro 2024”.

Duke qëndruar sërish në radhët e “Pancerave” dhe “Euro 2024”, “Sky Sport” ka sajuar formacionin e tyre, aty ku shume emra që kërkojnë të afirmohen janë vendosur në epiqendrën e projektit në rrugën drejt rikthimit te suksesi.

“Plakushët” si Nojer, Myler apo Gyndoan rezultojnë kujtim i bukur në histori edhe pse më një fund jo me fishekzjarrë në spektrin e mbylljes së duhur, të zëvendësuar nga “vogëlushët” e së ardhmes.

Në portë pozicionohet Ter Shtegen, i pasuar nga 4 difensivë me Raum dhe Kimish nga krahët, ndërsa shtyllat e qendrës përbehen nga Rydiger dhe Bela-Koçap. Mesfusha vjen me Musiala-Gorecak, duke shtyrë drejt treshes ofensive Sane-Virtz-Gnabri. Detyra e udhëheqësit mban emrin e Mukoks, në rolin e pykës.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"