Dështimi i Vujoviçit te Skënderbeu, zbardhen prapaskenat e “divorcit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 10:52

Dështimi i Vujoviçit te Skënderbeu, zbardhen prapaskenat e “divorcit”

Goran Vujoviç nuk është më pjesë e klubit bardhekuq, ose të paktën dy palët kanë filluar procedurën për të zgjidhur në mënyrë konsensuale prishjen e kontratës që e lidhte sulmuesin malazez me Skënderbeun. Shkaqet që sollën këtë shkëputje mes lojtarit dhe klubit kanë qenë të thjeshta.

vujovic

I pari është zhgënjimi në cilësitë e sulmuesit malazez, që në takimet e pakta që luajti, por edhe në seancat stërvitore nuk ka lënë një përshtypje të mirë te drejtuesit e Skënderbeut. Shkaku i dytë është dëmtimi që Vujoviç pësoi dhe koha e gjatë e rikuperimit të tij ishte e tepërt për Skënderbeun, që nuk mund të priste më shumë.

Vujoviç prej javësh ndodhet në Malin e Zi, ku po zhvillon terapi, por duket se dëmtimi i pësuar do të zgjaste më shumë nga se ishte parashikuar. Së treti, afrimi i sulmuesit Soue dhe cilësitë e tij të padiskutueshme bënë që Vujoviç të kalonte në plan të dytë, si një lojtar alternativë, por jo në pozicionin e titullarit. Të gjitha këto shtynë palët që të uleshin dhe të diskutonin zgjidhjen e kontratës në kushte konsensuale.

Fakti është pranuar edhe nga klubi, edhe nga vetë lojtari dhe pritet që brenda pak ditësh të bëhet dhe zyrtarizimi. Goran Vujoviç zhvilloi vetëm dy takime zyrtare me Skënderbeun, ndaj Santa Hulias, ku arriti të shënojë një gol në ndeshjen e dytë në Andorrë, të cilën korçarët e fituan me rezultatin 0-5. Por vetëm kaq, duke mos bindur me lojën e tij. Më pas ndodhi dëmtimi që e la jashtë fushave për ndeshjet e tjera eliminatore të Europa Ligës.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"