Dështimi i akademive, sistemi djeg qindra futbollistë në vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2018 | 14:00

Dështimi i akademive, sistemi djeg qindra futbollistë në vit

Gjithçka e ka një bazë. Për më tepër, shembujt e suksesit në futboll startojnë me punën dhe projektet e mëdha që nga baza dhe futbolli i ekipeve të vogla. Për të mos e ekzagjeruar, që duhen projekte për fëmijët U-6, U-8 apo U-10, mjaft të ketë një projekt për U-12 deri U-19. Diçka e tillë ekziston gjerësisht në vendin tonë. Qoftë akademitë zinxhir të klubeve tradicionale, por edhe së fundmi akademitë e shtuara private, rekrutojnë fëmijë mjaftueshëm me dëshirën për t’u bërë futbollistë. Po më pas? Çfarë ndodh me një 19-vjeçar që të paktën pesë vite është stërvitur çdo ditë? A ka një të ardhme? A garantohet vazhdimësi?

tirana 0 akademia u 19

KLUBE PA VIZION – Që në krye të herës, duhet thënë që jo çdokush duhet të bëhet futbollist profesionist. Mirëpo, ata që janë futbollistë të bërë, sapo arrijnë moshën 19- vjeçare, nuk gjejnë asnjë mundësi për të ardhmen. E gjithë kjo, për shkak se klubet shqiptare janë pa një vizion. Janë pa projekte afatgjata, të cilët të kërkojnë suksesin në plane pesëvjeçare apo edhe më shumë, për të mos u ngutur menjëherë në vitin pasardhës në kërkim të titullit.

FSHF NEGLIZHENTE – FSHF ka limituar elitën, zgjerimi i së cilës do të shtonte mundësitë për të rinjtë. Jo vetëm kaq, por duke qenë e ngurtë me vetëm 10 ekipe, edhe kampionati i Kategorisë së Parë ka treguar të jetë vetëm një garë me maksimumi katër ekipe, jo më shumë dhe që luhet vetëm një apo dy faza. Së treti, ç’është edhe më e rëndësishmja, në vendin tonë mungon kampionati i të rinjve. Në shumë vende, kampionatet U-19 deri në U-23 kanë vëmendje maksimale, pasi janë baza që furnizojnë kampionatet elitare. Mirëpo, në vendin tonë mungojnë.

tirana partizani moshat u 19

EKIPET – E si të mos mjaftojë numri i të huajve pa kriter, klubet shqiptare kërkojnë ta shtojnë ende numrin e tyre (pesë në fushë). Kjo sjell edhe që në skuadra të ndryshme, të rinjtë jo vetëm që të mos gjejnë kurrë vëmendjen e drejtuesve, por edhe në ato raste kur talenti i tyre i imponon, u kërkohet para që të mund të aktivizohen. Pra, një 19-vjeçar nuk mjafton që ka shpenzuar muaj për muaj deri në atë moshë që të stërvitet me një ekip, por vijon të paguajë edhe në periudhën që lidh kontratën profesioniste. Është për të ardhur keq, që sistemi aktual i futbollit në Shqipëri, djeg me qindra futbollistë çdo vit. Jo fëmijë dashamirës, por lojtarë të formuar…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"