Dështim në Europë se klubet s’kanë vizion, pse duhet fokusuar tek akademitë dhe roli i drejtorit teknik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 20:51


Dështim në Europë se klubet s’kanë vizion, pse duhet fokusuar tek akademitë dhe roli i drejtorit teknik

NGA SULEJMAN MEMA
Pas mbylljes së sezonit dhe përfundimit pa sukses të aventurës europiane të klubeve tona, analiza e punës për çdo klub, akademi apo shoqatë futbolli është një proces tejet i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë është bërë mirë, çfarë ka shkuar keq dhe ku duhet përmirësuar. Duke u hedhur një sy edhe rezultateve të ekipeve profesioniste në përfaqësimin ndërkombëtar si dhe duke qenë në prag të sezonit të ri, lind nevoja për të vënë gishtin në plagë dhe për të evidentuar problematikat ku duhet fokusuar dhe nevojat për një qasje ndryshe ndaj futbollit të fëmijëve më konkretisht.

mema

Po e nis këtë analizë si ish-futbollist, ish-trajner ekipesh profesioniste dhe moshash, si ish-drejtues klubi e kontribuues në futbollin shqiptar për më shumë se 4 dekada.

Prej kohësh ndjeja nevojën për t’u shprehur në lidhje me disa problematika që kam evidentuar në funksionin e klubeve dhe akademive të tyre. Do të duhet të kuptojmë, edhe këtu mendoj se jemi të vonuar, që themeli i zhvillimit të një klubi futbolli është akademia dhe puna që duhet bërë me elementin e ri. Kjo, për dy arsye themelore:

Së pari, vë re një mungesë vizioni nga klubet për t’i parë akademitë si guri i themelit për zhvillimin e tyre sportiv, por edhe financiar. Një klub, duke punuar në nivele profesionale dhe dedikuar me pasion e energji akademisë, mund të prodhojë në cikle 3 dhe 5-vje«are elementë shumë cilësorë në ato reparte ku skuadra tradicionalisht ka vuajtur. Duke furnizuar ekipin e parë me elementë cilësorë, që kanë gjithashtu brenda filozofinë e klubit, krijohet mundësia që resurset e klubit në merkato të jenë të fokusuara më mirë dhe vetëm në 2 apo 3 elementë që mund të bëjnë në të vërtetë diferencën dhe jo për mbushjen e numrave të grupit me elementë shumë larg atij niveli që kërkohet.

Për shembull, shikojmë sot skuadra që kanë vështirësi të kenë një sulmues goli apo mbrojtës të majtë, problem që ndihet rrjedhimisht edhe tek ekipet tona kombëtare. Edhe klube historike që kanë furnizuar pothuajse të gjithë Superioren me sulmues goli, sot përpiqen të gjejnë zgjidhjen e shpejtë në rajon apo në tregun e huaj, gjë që tregon se nuk punohet mirë me akademitë në terma afatgjatë. Prodhimi i elementëve cilësorë në akademi nënkupton gjithashtu edhe rritje ekonomike të futbollit. Nëse klubet e mëdha do të punojnë për të prodhuar lojtarë cilësorë ato sigurisht që do të ulnin kostot e lojtarëve eksperimentalë që marrin dhe largojnë pothuajse çdo sesion merkatoje, në të njëjtën kohë do të sigurojnë të ardhura të mëdha nga transferimi i tyre në kampionate më të forta e prestigjioze.

Së dyti, dhe kjo është shumë e rëndësishme, klubet dhe akademitë më të mëdha në Shqipëri vuajnë nga mungesa e një strukture teknike-profesioniste e niveleve të larta. Akademitë më të mëdha në Shqipëri nuk kanë sot një drejtor teknik të mirëfilltë. Them të mirëfilltë, për faktin se disa klube e kanë në organigramë këtë pozicion, por nuk kanë arritur në asnjë moment të unifikojnë proceset stërvitore, të rrisin standardet e stërvitshmërisë, të bëjnë punë të veçantë me elementët më të talentuar të akademisë dhe nuk kanë një plan-projekt 3-vje«ar se ku do të fokusohen dhe se në çfarë drejtimi do t’i orientojnë energjitë dhe resurset e tyre. Duhet vendosur objektiva të qartë se ku duhet arritur dhe jo të punohet kuturu e gjërat t’i lihen rastësisë.

Gjithashtu, drejtori teknik sot në shumë raste bën thjesht koordinatorin e orareve të stërvitjeve për ekipet e moshave, ndërkohë që do të duhet të monitorojë me kujdes çdo seancë stërvitore në çdo grupmoshë dhe të këshillojë trajnerët e klubit apo akademisë së tij se si do të duhet të punojnë teknikisht, taktikisht dhe fizikisht me skuadrat që drejtojnë. Përveç kësaj edhe trajnerët e çdo ekipi moshash në bashkëpunim edhe me drejtorin teknik duhet të jenë të ndërgjegjshëm se mund të bëjnë diferencën nëse punojnë më seriozisht dhe me një strategji të qartë se si mund të kultivojnë talentet e perspektivës dhe të rrisin nivelin e skuadrës kohë pas kohe.

sulejman mema

Thënë këtë, unë gjej rastin t’u bëj një thirrje të sinqertë presidentëve të klubeve për të kthyer fokusin tek akademitë dhe te zhvillimi i futbollit të fëmijëve për arsyet e mësipërme. Duhet të kuptojmë se pa një strategji të qartë pune me fëmijët është e pamundur të shkojmë larg dhe të pretendojmë rezultate në nivel ndërkombëtar. Shembuj të mirë në këtë aspekt kemi plot nëse i hedhim sytë përtej kufijve dhe rruga që duhet ndjekur është e qartë, por kërkon vullnetin e drejtuesve për të ndërtuar një strategji të mirëmenduar e me vizion.

Nëse nuk do të punojmë seriozisht në akademitë tona nuk do të arrijmë kurrë sukses afatgjatë dhe nuk do të kemi klube të suksesshme sportivisht dhe ekonomikisht. Asgjë nuk vjen rastësisht dhe tashmë e dimë se puna e mirë dhe serioze gjatë javës shpërblehet me rezultate në fushën e lojës. Është momenti që klubet të ndryshojnë kurs dhe të përqendrohen seriozisht tek akademitë, për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm të futbollit shqiptar. Për të rritur nivelin e kampionatit ne duhet t’u japim përparësi të rinjve dhe mbështetjen e duhur elementëve të talentuar.

Unë dhe kolegët e mi në FSHF – dhe në fakt institucioni e ka theksuar shumë herë këtë gjë – jemi të gatshëm të vendosim eksperiencën tonë në ndihmë të klubeve për të arritur në ato nivele ku duhet të jenë. Jemi të gatshëm t’i asistojmë dhe t’i mbështesim në çdo hap për të bërë hapin cilësor që nevojitet që të kenë në një të ardhme të shpejtë futboll e kampionat më cilësor e për të prodhuar elementë të vlefshëm për ekipet e para dhe ekipet kombëtare. Dhe së fundmi, për të pasur rezultate shumë më të mira si me klubet ashtu edhe me kombëtaret e moshave në arenën ndërkombëtare. Nuk duhet humbur kohë dhe duhen përmirësuar disa aspekte të punës që tani për të pasur produktin e duhur në një periudhë disavjeçare.

PANORAMASPORT.AL