“Dëshiroj më shumë pikët se lojën e bukur”, flet Mërgjyshi: Duhet të synojmë gjithmonë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2019 | 9:55

“Dëshiroj më shumë pikët se lojën e bukur”, flet Mërgjyshi: Duhet të synojmë gjithmonë…

Në javën e 5-të Apolonia luan në transfertë përballë Shënkollit, ku fierakët kërkojnë fitoren e 3-të radhazi.mergjyshi

Në letër duket një përballje e lehtë për Apoloninë pretendente ndaj vendësve modestë, por nuk ndan këtë mendim trajneri Artan Mërgjyshi. “Duhet të vazhdojmë ecurinë pozitive të dy javëve pas humbjes me Lushnjën, ku kemi marrë dy fitore të vështira që na kanë ngjitur në klasifikim, – analizon trajneri i Apolonisë. – Dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë, duke synuar gjithmonë kreun. E dimë që është ndeshje e vështirë, sepse Shënkolli është ekip i fortë dhe do të shfrytëzojë maksimalisht faktorin fushë. Ka ambicie dhe është agresiv në fushën e vet.

E kemi vlerësuar seriozisht edhe për faktin se vjen pas barazimit në Pogradec. E kam theksuar me forcë që në fillim se të gjitha ndeshjet janë të luftuara dhe këtu përfshihet edhe kjo e radhës, ndaj të gjithë duhet të shtrëngohemi mirë për të marrë maksimumin ndaj Shënkollit. Shkojmë për të marrë 3 pikë në një ndeshje që e mendojmë shumë të vështirë”.

Për kritikat ndaj lojës së paqëndrueshme të skuadrës, Mërgjyshi shprehet se janë më mirë pikët me lojë jo fort të mirë se humbja me lojë shumë të mirë.

A kanë mentalitetin e duhur të rinjtë? A janë gati ata ta përballojnë presionin e garës dhe të marrin përsipër objektivin për ngjitjen në Superiore?

Mërgjyshi do të besojë pozitivisht në çdo dilemë. “Është e vërtetë që pikët të krijojnë mundësi të punosh qetë dhe ta përgatitësh si duhet ndeshjen pasardhëse. Prapë do të theksoja se do dëshiroja më shumë pikët se një lojë të mirë, pasi është pragmatizëm dhe na intereson në renditje. Gjithsesi, janë dy komponentë që duhet të sinkronizohen: loja dhe rezultati, ndryshe nuk bëhemi dot konkurrentë, sepse jo gjithmonë ndodh të fitosh pasi nuk luan mirë, madje janë më së shumti fitore fati. I duam fitoret të merituara përmes lojës, te kjo filozofi këmbëngulim fort.

Kemi një grup të ri, por gradualisht po konsolidohemi. Na shërbeu për t’u rritur miqësorja me Bylisin dhe besoj se kemi cilësitë e duhura për të synuar kreun. Nga ndeshja në ndeshje kërkojmë përmirësim të vazhdueshëm të skuadrës në çdo aspekt”, përfundon për gazetën tonë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"