Dëshirat e Ndreut, një mbrojtës dhe… tri pikë ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2018 | 20:11

Dëshirat e Ndreut, një mbrojtës dhe… tri pikë ndaj Laçit

Largimi i kroatit Ivan Fushtar ka hapur një “gropë” të madhe në qendrën e mbrojtjes së Kamzës. Trajneri Ramadan Ndreu ka provuar në miqësoret e zhvilluara në Turqi dyshen LelisKuqi, megjithatë vendi i lënë bosh prej kroatit mbetet ende i pazëvendësuar. Në klub nuk janë të bindur se mund të përballojnë pjesën e mbetur të kampionatit me pak alternativa në qendër të repartit mbrojtës, ndaj janë hedhur prej kohësh në merkato për të gjetur pasuesin e Fushtarit.

ramadan ndreu

Është vetë trajneri Ramadan Ndreu që këmbëngul për afrimin e një qendre, ndërsa në një bisedë për televizionin “News 24” tha: “Jemi në pritje të një qendërmbrojtësi për të kompletuar skuadrën. Largimi i Ivan Fushtarit na ka prishur punë dhe shpresojmë që ta zëvendësojmë me një lojtar në nivelin e tij. Ardhja e Zguros dhe Zeqirit i ka shtuar cilësinë ekipit”. Numri një i kamzalinjve foli edhe për ndeshjen e parë të vitit, ndërsa hapur theksoi se pret trepikëshin. “Pas minifazës në Turqi, mendoj se jemi gati për të bërë një ndeshje dinjitoze ndaj një kundërshtari si Laçi. Do të jetë një takim shumë i vështirë, por do të bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin.

Një fitore ndaj Laçit do të na vlente shumë për vazhdimësinë në kampionat, pasi do të ishim më të qetë dhe komodë sa i përket renditjes. Kam besim se do t’ia dalim duke ruajtur ecurinë e mirë të pjesës së parë të sezonit”, përfundoi Ndreu. Sakaq, Denis Peposhi ka shpallur zyrtarisht “divorc” me Kamzën dhe e ka gjetur ekipin e ri. Asnjë minutë me këtë skuadër bëri që 22- vjeçari t’i bashkohet Drenicës në kampionatin kosovar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"