Deshamp nuk e fsheh lumturinë: Të gjithë donin finalen Itali-Belgjikë. Kam kohë që mendoj për Teon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2021 | 23:46

Deshamp nuk e fsheh lumturinë: Të gjithë donin finalen Itali-Belgjikë. Kam kohë që mendoj për Teon

Didier Deshamp sheh përsëri Francën e tij të dhurojë një ndeshje të madhe, ose më saktësisht një gjysmë ndeshje, pasi ekipi fitoi me përmbysje kundër Belgjikës falë një pjese të dytë të shkëlqyer duke shkuar në finalen e Ligës së Kombeve. Duke folur pas ndeshjes, trajneri nuk e fshehu entuziazmin e tij, edhe pse shumëkush i kishte nxjerrë nga loja para kohe Kampionët e Botës në fuqi.

deshamp

“Në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka, me krenari dhe personalitet, duke hedhur në fushë më shumë agresivitet. Pjesa e dytë ishte e gjitha e jona. Kjo është prova që Franca është konkurruese, por jemi pak me vonesë, pasi kemi ndryshuar edhe sistemin e lojës dhe na duhet kohë që nuk e kemi. Hodha në fushë edhe një të ri si Teo i cili shënoi golin vendimtar në ndeshjen e dytë.

Tani në ekip ka shumë konkurrencë. Për Teon kishte kohë që po mendoja, në fakt e kam grumbulluar edhe më parë. Ai mundet të luajë me 4 në prapavijë, e bën te Milani, është interesant në fazën ofensive, por duhet të përmirësohet në atë mbrojtëse. Ndërsa Kilian ishte i pafat në Europian, të shënonte këtë penallti ishte një sinjal i favorshëm për Francën.

A do preferoja një finale ndaj Italisë? Nuk është se do ta preferoja. Të gjithë imagjinonin një finale Itali-Belgjikë meqë belgët janë në vendin e parë të renditjes botërore prej vitesh dhe ne vinim nga dy barazime radhazi. Por në fund do të jetë Francë-Spanjë. Kjo e fundit dje tregoi forcë. Bëri të vuajë Italinë e cila nuk u dorëzua. Njoh mirë Spanjën, kur kanë topin është e vështirë”, tha Deshamp për duelin e sotëm dhe për sfidën që e pret të dielën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"