Dervishi: Starova duket si karrocier që i kanë dhënë të ngasë makinë Ferrari!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 16:51

Dervishi: Starova duket si karrocier që i kanë dhënë të ngasë makinë Ferrari!

Kryendeshja mes Partizanit dhe Kukësit është ndjekur me shumë interes edhe nga ish-drejtori i përgjithshëm i dy klubeve, Dritan Dervishi. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, në cilësinë e një personi që ka mbajtur pozicione të rëndësishme në ekipet që luftojnë për titull, Dervishi analizoi gjithçka, duke mos lënë mënjanë thumbimet në distancë për trajnerët e Kukësit e Partizanit, por jo vetëm.

dritan dervishi

 

Dervishi sulmon trajnerin Gjoka, për të cilin thekson se e gjeti rrugën e shtruar te Kukësi dhe po shijon sukseset e presidentit Gjici. Gjithashtu, ish-drejtori i verilindorëve e cilëson të turpshme ndeshjen mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, teksa, sipas tij, duhet të nisë patjetër një hetim. Në fund, Dervishi flet edhe për Tiranën.

Dritan, çfarë përshtypje ju la ndeshja Partizani-Kukësi?

E ndoqa me shumë vëmendje. Ishte një ndeshje në përgjithësi e bukur dhe e luftuar nga të dyja skuadrat. Partizani kërkoi me ngulm fitoren, por jo me qartësi tekniko-taktike, por me forcën e individëve që ka në grup.

Prisnit më tepër nga të kuqtë?

Patjetër, prisja një Partizan më sulmues, pasi ishte një finale dhe duhej fituar, por me mentalitetin që ka stafi aktual nuk mund të fitohej… Me një sulmues nuk fitohen finalet, ndërsa Kukësi me shpirtin që ka si skuadër mori atë që kërkoi, pra një pikë.

Kukësi ishte shumë i kujdesshëm, duke u mbyllur në mbrojtje për shumë minuta. Ia vlejti apo duhet të guxonte më tepër?

Kukësi në këto momente është skuadra më kompakte e kampionatit. Ata e njohin forcën e tyre dhe sillen sipas kundërshtarit, por prisja të luanin më tepër në sulm, edhe pse barazimi ishte si fitore për ata. U pa qartë që skuadra ishte shumë e tërhequr dhe nuk ishte futur në fushë për fitore, por për një barazim.

demi starova dervishi partizani

Trajneri Gjoka pati fatin e madh se ka në skuadër djem me karakter që japin gjakun për bluzën, por nga ana tjetër Starova e ndihmoi me mentalitetin e tij mbrojtës, duke lënë jashtë formacionit emra si Sukaj, Mazrekaj dhe Bardhi. Starova me ekipin që ka duket si një karrocier që i kanë dhënë të ngasë një makinë Ferrari. Vitet kalojnë dhe futbolli ka ndryshuar, kështu që për ndeshjen me Kukësin meriton notën 4. Ndërsa Gjokës i mungoi guximi për ta goditur Partizanin në kundërsulme dhe meriton notën 6.

Ju keni qenë pjesë e strukturave që kanë projektuar Kukësin e këtij sezoni. Mendoni se këtij grupi i është marrë maksimumi i mundshëm?

Bashkë me menaxherin Naim Halili dhe presidentin Gjici, krijuam një ekip me filozofi të qartë për të dalë kampion. Nëse u është marrë apo jo maksimumi lojtarëve, për këtë duhet pyetur më mirë Gjoka. Megjithatë, unë nuk mund të lë pa përmendur një fakt domethënës.

Gjoka-Dervishi Vlore

Kur këmbëngulja që të mbaja Ylli Shametin në skuadër, disa në klub më thanë pse insiston kaq shumë. Po tani, çfarë do më thonë që Shameti është mbrojtësi më i mirë?! Pres një falënderim nga Gjici, sepse realisht bëmë një ekip me pak lekë dhe me djem fantastikë.

Megjithatë, një meritë të madhe ka edhe trajneri Gjoka…?

Ai po merr frytet e punës së presidentit Gjici. Gjokën e solla unë trajner te Kukësi, me ndihmën e menaxherit të klubit, Halili, por të mos harrojmë që erdhi në një ekip që ishte në rrugën e duhur. Këtu dua të kujtoj punën e mirë që kishte bërë profesor Hasan Lika.

E mendonit që Kukësi, pas 32 javësh, nuk do të pësonte asnjë humbje?

Në futboll asgjë s’vjen me fat, por gjithçka me punë dhe ndershmëri. Merita është e presidentit Gjici dhe e këtij grupi fantastik që përbehet nga djem luftëtarë.

Kush është më i favorizuar për titullin?

Më afër shoh Kukësin, se sa Partizanin.

dritan dervishi

Mirëpo, Skënderbeu iu afrua me një pikë kryesuesve…?

Skënderbeu është nëndetësja e kampionatit. Korçarët janë në lojë, por nuk besoj se do të jenë ata kampionët.

Si e shikoni duelin e Kukësit me Flamurtarin?

Fiton Kukësi! Në Kukës ekipet lënë trepikëshin sa kalojnë tunelin.

Pas ndeshjes Skënderbeu-Vllaznia 4-3 pati shumë dyshime, e ndoqët?

Ndeshja Skënderbeu-Vllaznia është për hetim. Aty nuk gaboi vetëm Cicmili. Shikoni golin e tretë, është një turp. U bë estradë dhe u ul emri i Shkodrës dhe shkodranëve. E kot që flasim me doreza, aty është tolerim nga shumë komponent. Turp! Kur dëgjon njerëz që thonë, është reklamë për futbollin kjo ndeshje, unë mendoj se është  reklama më e keqe.

Tirana ka prekur fundin, çfarë mund të na thoni?

Tirana është drejt humnerës dhe për këtë situatë është fajtor Refik Halili me stafin e tij, por më mirë të mos flas se do fillojnë të thonë që Dritan Dervishi është armik dashakeqës. U bëj thirrje tifozëve të shkojnë në stadium, në këto momente të vështira.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"